75-vjetori i konferencës së Bretton Woods – Ekspertët, thirrje për të zvogëluar dominimin e dollarit amerikan
Një konferencë e nivelit të lartë që zhvillohet në Paris shënon 75-vjetorin e konferencës së Bretton Woods, ku shumë pjesëmarrës kanë kundërshtuar proteksionizmin tregtar dhe kanë bërë thirrje për një zhvendosje nga statusi hegjemonik i dollarit amerikan.
Konferenca e titulluar “Bretton Woods: 75 Vite më Vonë” është organizuar nga Banka e Francës, dhe marrin pjesë përfaqësuesit e qeverive nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, si dhe ekspertë dhe studiues të fushës financiare. Gjatë fjalës së tij në konferencë, Guvernatori i Bankës së Francës, François Villeroy de Galhau, përsëriti rolin e rëndësishëm të Organizatës Botërore të Tregtisë dhe multilateralizmin në trajtimin e çështjeve tregtare.
Roli dominues i dollarit amerikan në sistemin financiar global u identifikua 75 vite më parë me krijimin e sistemit të Bretton Woods. Por, së bashku me zhvillimin e kohës, disa ekspertë besojnë se dollari amerikan është përdorur edhe si një mjet për të dëmtuar rendin e drejtë ndërkombëtar. “Është e qartë se roli i dollarit amerikan në sistemin financiar global i jep Shteteve të Bashkuara një levë të madhe, një levë politike, pasi mund të ushtrojnë presion ndaj vendeve që nuk binden. Shembulli konkret janë sanksionet ndaj Iranit. Kur Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja e kontrollit të armëve me Iranin detyroi edhe vendet e tjera të bënin të njëjtën gjë, për shkak të rëndësisë së madhe të tregjeve amerikane dhe rëndësisë së dollarit amerikan në pagesat dhe sistemin financiar. Kjo praktikë është shumë e pakëndshme. Mendoj se vendet e tjera të zhvilluara, si Europianët përshembull, duhet të largohen nga dollari” – shprehet Martin Wolf, krye-ekonomist i Financial Times.
Në maj të vitit të kaluar, Uashingtoni në mënyrë të njëanshme e braktisi marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe riktheu sanksionet ndaj këtij vendi.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.