807 mld lekë koncesione, Ahmetaj: Aeroportet dhe disa rrugë do t’i paguajnë qytetarët
Rreth 807 miliardë lekë është vlera e kontratave me partneritet publik-privat të nënshkruara nga qeveria, ku 46 për qind e tyre janë dhënë në sektorin e energjisë. Shifra është bërë publike për herë të parë, ndërsa aktualisht janë 11 kontrata aktive dhe 4 në finalizim e sipër.
Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Ministri Arben Ahmetaj bëri me dije se një sërë kontratash me partneritet publik-privat që janë parashikuar të firmosen, nuk do ti kushtojnë asnjë lek buxhetit të shtetit, por do të paguhen direkt nga xhepat e qytetarëve, të tilla si aeroportet Vlorë dhe Kukës si dhe disa akse rrugore.
Ahmetaj informoi se nga 1 Korriku 2019, do të hiqet mundësia për oferta të pakërkuara në disa sektorë, ndërsa është shprehur i sigurt për mosprekjen e tavanit të koncesioneve prej 5 për qind të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës.
Në këtë pikë qeveria ka parashikuar dyfishim të ardhurash nga viti 2018 në vitin 2028, ku priten të mblidhen 800 miliardë lekë.
Në fund të seancës, Komisioni ka miratuar në parim projektbuxhetin e vitit 2019, i cili do të kalojë në seancë plenare ditë e Enjte.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.