92 mln euro nga BE. Fondet “IPA”, projekt Shqipëri-Itali-Mali i Zi në 5 fusha
Bashkimi Europian është financuesi i projektit më të ri tri palësh, mes Italisë- Shqipërisë-Malit të Zi, në vlerën e 92 milionë eurove. Programi ndërkufitar mes 3 shteteve do të fokusohet në 5 fusha kryesore dhe do të financohet nëpërmjet instrumenteve të asistencës së para anëtarësimit, të njohura ndryshe në vendin tonë si fondet IPA.
Projekti është lançuar zyrtarisht në Bari ditën e Hënë, dhe e pranishme në aktivitet ka qënë edhe ministrja e integrimit të Shqipërisë, Klajda Gjosha. “Përtej dimensionit ekonomik, që në vetvete është shumë i rëndësishëm për të zvogëluar disbalancat e zhvillimit, ndikimi i Programit do të jetë thelbësor për krijimin e urave të bashkëpunimit midis rajoneve dhe komuniteteve vendore.
Financimi i projekteve në fusha të tilla si: mjedisi, konkurrenca, inovacioni, trashëgimia kulturore dhe natyrore, e transport të qëndrueshëm, me një shumë totale financimi që arrin rreth 92 milion euro, patjetër që do të sjellë ndryshime për shoqëri më të shëndetshme, më të mirë dhe më konkurruese”-deklaroi Gjosha.
Programi i bashkëpunimit ndërkufitar do të zbatohet me faza, dhe e para prej tyre vlen 25 milionë euro. Kjo fazë do të realizohet në bazë të thirrjeve publike për projekte, ku mund të marrë pjesë kushdo e që do të publikohet në ditët në vijim. Italia përfishet në projekt me dy raojne; Puglia dhe Molise, ndërkohë që Shqipëria dhe Mali i zi do të përfshihen me të gjithë territorin.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.