A do mjaftojë fjalimi i Macron? – Presidenti pritet të premtojë ndryshime përballë “katastrofës ekonomike”
Presidenti francez Emmanuel Macron, pritet të mbajë një fjalim në Mbrëmje mbi protestat e dhunshme që kanë goditur Parisin dhe qytete të tjera franceze gjatë fundjavës.
Presidenca e Macron ndodhet në krizë pas disa javësh të demonstratave nga të ashtuquajturit “jelekët e verdhë”. Protestat nisën si një kundërshti ndaj rritjes së taksës së karbonit dhe karburanteve nga Macron, por më vonë u transformuan në një demonstratë të gjerë kundër Qeverisë dhe reformave të Macron që kanë rritur koston e jetesës dhe neglizhuar klasën punëtore dhe të mesme. Presidenti pritet të japë një lajmërim të Hënë në Mbrëmje, që do të jetë përgjigja e Qeverisë ndaj protestave.
Ai pritet të lajmërojë masa të reja ekonomike që synojnë të trajtojnë ndjesinë negative të publikut kundër reformave të tij. Por, përveç kësaj, nuk ka ndonjë tregues për të bërë të ditur se çfarë do të përmbajë fjalimi i tij, apo nëse do të jetë i mjaftueshëm për të ndalur demonstratat. Sipas koordinatorëve të “jelekëve të verdhë”, lajmërimi i Macron do të jetë vonë dhe i parëndësishëm. Qeveria ka bërë të ditur se do të vonojë rritjen e taksës për karburantin për 6 muaj dhe më vonë e hoqën fare nga buxheti i vitit 2019. Megjithatë, kjo dështoi të qetësojë ndopak situatën. Në javën e 4 të protestave, rreth 125 mijë vlerësohej se marshonin në rrugët e Francës.
Analistët thonë se Macron do të duhet të ndryshojë qasjen politike për të trajtuar shqetësimet e votuesve. Por çështja është se sa do të jetë i gatshëm Macron që të dorëzojë për të qetësuar protestuesit. Sipas analistëve, nuk do të përbënte çudi nëse me kalimin e kohës Macron kthehet në dikë që përqendrohet më shumë te standardet e jetesës dhe në çështjet e të ardhurave në dispozicion.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.