A do rriten testimet për COVID-19? – ISHP hap tender për blerjen e kiteve, fondi total 163 milion lekë
Me një fond prej 163 milion lekësh, Instituti i Shëndetit Publik parashikon blerjen e kiteve dhe reagentëve, që janë materiale të nevojshme për kryerjen e testimeve për Covid-19. Ky dikaster ka hapur tenderin, ku parashikon lidhjen e një marrëveshjeje kuadër me një operator ekonomik për një periudhë 1-vjeçare. Hapja e kësaj procedure vjen në një kohë kur tendenca e rasteve të reja me COVID-19 është në rritje, ndërsa shumë ekspertë kërkojnë rritjen e numrit të testimeve, si një formë për të frenuar përhapjen e infeksionit.
Megjithatë është e pamundur të përllogaritet sasia e kiteve që do të blihet me këtë fond të vënë në dispozicion, pasi deri më tani autortietet nuk e kanë bërë asnjëherë me dije se cili është çmimi mesatar për këto material mjekësore. Për këtë arsye është e pamundur të parashikohet nëse do të ketë një rritje të numrit të testimeve për persona të dyshuar se janë infektuar nga COVID-19. Kjo është hera e dytë që Instituti i Shëndetiti Publik hap një tender për blerjen e këtyre materialeve, por fondi limit i kësaj procedure është ndjeshëm më i lartë se proceduar paraardhëse, që ishte në vlerën e 50.5 mln lekëve.
Ndërkaq, ISHP sqaron edhe arsyet se përse ka zgjedhur formën e lidhjes së marrëveshjes kuadër me vetëm një dhe jo disa operatorë ekonomikë për të siguruar këto mallra, duke theksuar se Per arsye teknike dhe organizative, levrimi nga operatore te ndryshëm ekonomike nuk do te ishte i favorshëm, pasi jo vetëm mund te shoqërohej me vështirësi per mospërputhjen e artikujve qe funksionojnë sistematikisht, por shoqërohet edhe me kosto shtese dhe vonesa te furnizimit, per kryerjen e procedurave te minikonkurimit.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.