A do ta evitojnë turistët Londrën këtë verë?
Sulmi i të shtunës në Londër ishte i treti në Mbretërinë e Bashkuar në më pak se katër muaj. Ekspertët e udhëtimit thonë se turizmi në MB mund të bjerë ndjeshëm sepse njerëzit do të druhen për sigurinë e tyre.
Firma e kërkimit Euromonitor përllogarit se 285 mijë njerëz mund të rrinë larg këtë vit si pasojë e sulmeve të shumta, dhe se kërkesa do të rikuperohet plotësisht jo para vitit 2020.
“Tre sulme të tmerrshme në tre muaj kanë krijuar një dëm serioz në imazhin e MB si destinacion udhëtimi. Udhëtarët e duan Mbretërinë e Bashkuar, por besoj se një numër i konsiderueshëm do të dojë vendin nga larg, të paktën për këtë verë”, thotë Henry Harveldt, një analist i pavarur udhëtimesh.
Londra është qyteti i tretë më popullor për turistët, dhe mirëpret rreth 19 milionë udhëtarë në vit. Turizmi ka qenë duke lulëzuar si efekt i rënies së paundit që e bën më të lirë për të huajt.
Por ngjarje të tilla mund të shënojnë një kthesë, ashtu si për Parisin pas sulmeve të koordinuara terroriste të Nëntorit 2015. Mbërritjet e huaja në Paris ranë me 12% në katër muajt që pasuan, ndërsa edhe tani, më shumë se një vit nga ngjarja, turizmi në qytet nuk e ka marrë ende veten.
Edhe investitorët shprehen nervozë për mënyrën se si do të reagojnë turistët. Aksionet e kompanive europiane të udhëtimit ranë ndjeshëm gjatë sesionit të së hënës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.