A do të mbijetojë fryma liberale?
Rendi liberal, në mënyrë të pashmangshme, do të duket disi ndryshe gjatë shekullit të njëzet e një. Kina, India dhe ekonomi të tjera do të vazhdojnë të rriten, dhe pjesa amerikane e ekonomisë botërore do të zvogëlohet. Por asnjë vend tjetër, duke përfshirë edhe Kinën, nuk është i gatshëm të zhvendosë Shtetet e Bashkuara nga pozicioni dominues. Por edhe kështu, rendi akoma mund të kërcënohet nga një përhapje e përgjithshme e pushtetit larg qeverive në favor të aktorëve joshtetërorë. Revolucioni në informacion ka vënë një numër çështjesh transnacionale, të tilla si stabiliteti financiar, ndryshimi i klimës, terrorizmi, epidemitë, dhe siguria kibernetike, në axhendën globale në të njëjtën kohë kur shihet qartë paaftësia e të gjitha qeverive për të reaguar.
Kompleksiteti është në rritje, dhe politika botërore së shpejti nuk do të jetë pronësi e vetme e qeverive. Individë dhe organizata private, nga korporatat dhe organizatat joqeveritare deri te terroristë dhe lëvizjet sociale, janë duke u fuqizuar, dhe rrjetet joformale do të thyejnë monopolin e burokracive tradicionale. Qeveritë do të vazhdojnë të zotërojnë fuqi dhe burime, por skena në të cilën ata luajnë do të bëhet gjithnjë e më e populluar dhe ata do të kenë më pak aftësi për të drejtuar.
Edhe në qoftë se Shtetet e Bashkuara mbeten fuqia më e madhe, në përputhje me rrethanat, ajo nuk do të jetë në gjendje për të arritur shumë prej qëllimeve të saj ndërkombëtare, nëse veprojnë të vetëm. Për shembull, stabiliteti financiar ndërkombëtar është jetik për prosperitetin e amerikanëve, por Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për bashkëpunimin e të tjerëve për ta siguruar atë. Ndryshimi i klimës globale dhe rritja e nivelit të detit do të ndikojnë në cilësinë e jetës, por amerikanët nuk mund të menaxhojnë këto probleme vetëm me veten e tyre. Dhe në një botë ku kufijtë janë bërë më porozë, duke lënë të hyjë çdo gjë, nga droga te sëmundjet infektive apo terrorizmi, vendet duhet të përdorin fuqinë e butë për të zhvilluar rrjete dhe për të ndërtuar institucione me një qëllim të përbashkët për t’iu bërë ballë kërcënimeve dhe sfidave.
Uashingtoni mund të japë disa nga të mirat publike të rëndësishme globale, në një masë të madhe në vetvete. Marina amerikane është e rëndësishme kur bëhet fjalë për policimin e ligjit të detit dhe për të mbrojtur lirinë e lundrimit, sikurse Rezerva Federale e SHBA ruan themelet e stabilitetit financiar ndërkombëtar, duke shërbyer si një huadhënës fundor. Megjithatë, në çështjet e reja transnacionale, suksesi do të kërkojë bashkëpunimin e të tjerëve, dhe kështu fuqizimi i tyre mund të ndihmojë Shtetet e Bashkuara për të përmbushur qëllimet e veta. Në këtë kuptim, pushteti bëhet një lojë shumatore pozitive: një nevojë për të menduar që Shtetet e Bashkuara jo vetëm do ushtrojnë pushtetin e tyre mbi të tjerët, por edhe fuqinë e të tjerëve për të zgjidhur problemet që Shtetet e Bashkuara mund të zgjidhin duke punuar me të tjerët. Në një botë të tillë, aftësia për t’u lidhur me të tjerët të bëhet një burim i madh i energjisë, dhe këtu, gjithashtu, Shtetet e Bashkuara kryesojnë. SHBA është e para në renditjen e vendeve sipas Institutit “Löwy”, për nga numri i ambasadave, konsullatave dhe misioneve në botë. Ajo ka rreth 60 traktate aleance, dhe “The Economist” vlerëson se rreth 100 nga 150 vendet më të mëdha të botës kanë lidhje varësie me ta, ndërsa vetëm 21 prej tyre kanë lidhje të favorshme.
Megjithatë, gjithnjë e më shumë, sinqeriteti që mundëson SHBA për të ndërtuar rrjete, për të ruajtur institucionet dhe të mbajë aleanca është vetë nën rrethim. Kjo është arsyeja pse sfida më e rëndësishme për sigurimin e rendit botëror në shekullin e njëzet e një nuk vjen nga jashtë, por nga brenda. (vijon në numrin tjetër) përktheu: Sokol Fuga/Mapo
*Shkencëtar i marrëdhënieve ndërkombëtare, ish-zëvendëssekretar amerikan i mbrojtjes
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.