A i jep fund “lojës së NIPT-eve” paketa fiskale e vitit 2019?
Buxheti i vitit 2019 u shoqërua me pengesa të shumta si për sa i përket buxhetit në tërësi ashtu edhe sa i përket paketës fiskale.
Nisur nga protesta e studentëve, presidenti Ilir Meta ktheu buxhetin për rishikim, por nuk arriti të merrte miratimin e mazhorancës. Gjithashtu, Meta ndërmori një tjetër hap me rikthimin në Kuvend një nga ligjet më të rëndësishme të paketës fiskale, atë “për tatimin mbi të ardhurat”. Megjithatë, pavarësisht elementëve që kanë kërkuar rishqyrtim, në tërësinë e saj, paketa fiskale e vitit 2019 sjell përmirësime të konsiderueshme sidomos përsa i përket mbylljes së hapësirave për shmangie tatimore apo evasion fiskal.
Sipas listës së subjekteve pasive të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv për dhjetorin 2018, është 119,388. Kjo shifër është më e madhe se ajo e dy muajve më parë, kur numri i bizneseve pasive ishte thuajse 114 mijë. Pra, nga tetori në dhjetor, afërsisht 5000 biznese shqiptare kanë vendosur të pezullojnë aktivitetin e tyre. Arsyet për kalimin në status pasiv mund të jenë të shumta. Sipas studimit “Klima e biznesit në Shqipëri” i vitit 2017 nga Qendra Shqiptare për Kërkim Ekonomik, tregoi që “ekonomia gri” apo konkurrenca e padrejtë, barra fiskale, pasiguria dhe vështirësia për parashikimin e ndryshimeve në legjislacion, janë disa nga pengesat.
Ndërkohë edhe që ndryshimet ligjore që ulën shkallën e regjistrimit të biznesit të TVSH në 2 milionë lekë dhe që fusin në sistem me mijëra biznese, mund të kenë shkaktuar mbylljen masive. Në parim, kjo do të thotë thuajse çdo ditë dyert e 55 bizneseve mbyllen duke kaluar në pasive. Por, ndonëse ky numër shfaqet në shifrat zyrtare, praktika ka treguar një tjetër realitet. Bëhet fjalë për “lojën me NIPT-et”, një strategji që bizneset e të gjitha niveleve e kanë ndjekur prej shumë vitesh, duke përfituar nga legjislacioni në fuqi për procedurat e mbylljes ose pezullimit të aktivitetit.
Kështu, në listën e gjatë të bizneseve pasive, përfshihen dhe biznese të cilat realisht nuk e kanë pezulluar aktivitetin, por kanë zgjedhur të operojnë në kushtet e evazionit dhe fshehjes së të ardhurave. Ky fenomen u vërtetua për të disatën herë kur në muajin tetor, SCAN zbuloi hetimin e administratës tatimore në lidhje me subjektet pasive që vazhdonin aktivitetin.
Hetimi zbardhi mbi të paktën 3 mijë biznese me status pasiv që vijonin aktivitetin. Kjo shifër ndahej në 1.998 subjekte tatimpaguese me status pasiv që rezultojnë blerës në subjekte aktive, si dhe 1.375 subjekte tatimpaguese me status aktiv që rezultojnë shitës në subjekte pasive. Gjithashtu, 98 subjekte tatimpaguese me status pasiv që rezultojnë shitës në subjekte aktive.
Këto biznese kryenin jo vetëm shkëmbime tregtare, por vazhdonin të lëshonin edhe kupona tatimorë. Një numër prej 470 subjektesh tatimpaguese me status pasiv lëshonin kupona tatimorë. Gjithashtu janë edhe 537 subjekte tatimpaguese me status “kërkesë për çregjistrim”, por që lëshojnë kupona tatimorë, ndërkohë që 68 subjekte tatimpaguese me status “çregjistruar” rezulton se lëshojnë kupona tatimorë.
Sipas legjislacionit në fuqi, një biznes arrin të kalojë nga statusi aktiv në statusin pasiv në rast se përmbushet minimalisht njëri nga këto kushte:
- nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm
- nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm
- deklaron në QKB pezullim veprimtarie tregtare.
Për periudhën e qëndrimit në regjistrin pasiv, tatimpaguesi nuk paraqet deklarata periodike tatimore dhe ndaj tij nuk llogariten gjoba për mosdeklarim tatimor. Shkak për të cilin edhe vijimi i aktivitetit me status pasiv është një prej rrugëve të evazionit që garanton fitime maksimale për subjektet që e marrin përsipër këtë risk.
Cilat janë penalitetet?
Veprimet apo transaksionet që kryhen nga persona fizikë e juridikë, tatimpagues apo tregtarë, që kanë kaluar në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet sipas legjislacionit në fuqi. Kështu, kur furnizuesi e shënon fiktivisht NIPT-in e biznesit që kryen blerje, ku ky i fundit ka status pasic, ndaj lëshuesit të faturës tatimore, pra furnizuesit, do të aplikohet dënim administrativ.
Më tej, kur një tatimpagues kryen aktivitet, por njëkohësisht mban status pasiv, përveç dënimit administrative, ndaj tij nga ana e administratës tatimore do të kryhet dhe vlerësim tatimor për të gjithë periudhën që ai ka qenë në regjistrin pasiv. Nëse biznesi vazhdon të kryejë në mënyrë të përsëritur shkelje të këtij tipi, bazuar në nenin 116, pika 1 të ligjit të procedurave tatimore do të konsiderohen si evazion tatimor si dhe vepër penale bazuar në nenin 131 të ligjit procedurial.
Multi NIPT-et: si rregullohen me paketën fiskale të vitit 2019
“Ka një emër me 7 NIPT-e. Në aspektin normal mund t’i kishte, sepse kishte 7 biznese të ndryshme. Por, fenomeni mbyll njërin, e kaloj pasiv, e kërce prapë të tjetri dhe pastaj të njëjtën gjë, ky është evazion e fenomen i strukturuar”.
Kjo deklaratë e Ministrit Ahmetaj ilustron një tjetër mënyrë, nëpërmjet të cilës bizneset shqiptare prej vitesh shmangin detyrimet tatimore: hapi një NIPT të ri e mbyllin një të vjetër, duke vazhduar kështu për vite me radhë dhe duke fryrë fiktivisht numrin e NIPT-eve pasive. Megjithatë, duket se paketa fiskale e vitit 2019 është përqendruar në luftën ndaj këtij fenomeni, duke sjellë një sërë ndryshimesh dhe përmirësimesh ligjore.
Sipas ministrit Ahmetaj, kjo metodë e shmangies ndaj detyrimeve, është kthyer tashmë në fenomen të strukturuar. Në relacionin e publikuar, së bashku me ndryshimet në paketën fiskale thuhet se ky ligj synon të rregullojë disa mangësi në praktikën e zbatimit të legjislacionit tatimor. Këto mangësi përbëjnë një pjesë të faktorëve që ndihmon bizneset në shmangien e deklarimit dhe pagesës se detyrimeve reale nga tatimpaguesit. Praktika e mbylljes së një NIPT-i dhe hapjes së një tjetri zhvillohej me synimin kryesor për tu larguar nga detyrimet e mëparshme, duke lënë te aktiviteti i mbyllur një seri detyrimesh apo gjobash të papaguara.
Është pikërisht ky aspekti në të cilin paketa fiskale e vitit 2019 përqendrohet më së shumti. Me procedurat e reja, çelja e një NIPT-i të ri nuk do jetë e mundur nëse nuk mbyllet apo çregjistrohet NIPT-i ekzistues në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Gjithashtu, për të shmangur, keqpërdorimin e tarifave të ligjit dhe tatimit, një person fizik do të pajiset vetëm më një NIPT. Në rast se do iu duhet të hapin veprimtari të tjera, ata do kenë mundësinë e përdorimit të NIPT-eve sekondare që derivojnë nga NIPT-i kryesor.
Nenet 1 e 2 të ndryshuara në ligjin e procedurave tatimore parashikojnë pajisjen me vetëm një NIPT të personit fizik (mund të pajiset me NIPT-e sekondare nëse hap veprimtari të tjera), me qëllim shmangien e keqpërdorimit të tarifave të ligjit dhe të tatimit. Si pasojë, ligji i ri përmirëson rregullat e regjistrimit dhe të pajisjes me NIPT të personave fizikë tregtarë, për të administruar këtë kategori tatimpaguesish në deklarimin e saktë të të ardhurave të realizuara, kur fiktivisht ndajnë aktivitetin vetëm me qëllimin e shmangies së tatimit, duke u regjistruar me më shumë se një NIPT/NUIS.
Me ndryshimet e reja, për çdo veprimtari të re që kërkon të regjistrojë një person fizik tregtar, do të pajiset me numër identifikimi të njëjtë, dhe ajo që do të ndryshojë do të jetë numri serial i aktivitetit të ri, me qëllim identifikimin e vendndodhjes të veprimtarisë së re. Këto ndryshime synojnë t’i japin fund praktikave të mbylljes së NIPT-eve dhe çeljes së NIPT-eve të tjera, duke lënë te aktiviteti i mbyllur një seri detyrimesh apo gjobash të papaguara.
Gjithashtu, ardhjes në fuqi të legjislacionit të përmirësuar, pritet të shihet se cila do jetë ecuria e NIPT-eve pasive në listën e publikuar çdo ditë nga Qendra Kombëtare e Biznesit
Ergisa Bejkollari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.