A ke dyshime për Koronavirusin? – Ministria: Çdokush mund të testohet pranë ISHP, analizat janë falas
Çdo qytetar që ka dyshime apo do që të sigurohet se nuk është i infektuar nga koronavirusi i ri mund t’i drejtohet Institutit të Shëndetit Publik për të kryer analizat e nevojshme. Përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë thonë për TV SCAN se kryerja e analizave është pa pagesë, ndërkohë që ISHP ka një laborator të standardizuar në lidhje me vendosjen e diagnozës së koronaviruseve dhe infeksioneve virale si dhe stafe të trajnuara për inteligjencën epidemike.
Sipas të dhënave zyrtare Shqipëria mbetet vend me rrezikshmëri të ulët, por gjithsesi ka marrë masa paraprake për mbrojtjen ndaj koronavirusit të ri.
Në këtë kuadër është ngritur dhe task-forca që ka në përbërje drejtues të institucioneve shëndetësore, mjekë dhe ekspertë të shëndetit publik, drejtues të njësive tona në pikat e kalimit kufitar, përfaqësues të policisë kufitare. Ndërkaq, ISHP ka këshilluar të gjithë qytetarët të mbajnë higjienën vetjake dhe të informohen për kujdes ndaj gripit dhe të ftohtit në faqet zyrtare të këtij institucioni.
Koronaviruset janë familja e viruseve të cilat shkaktojnë sëmundje nga një rrufë e lehtë deri në sëmundje më të rënda respiratore, ndërkohë që kornoavriusi në Kinë është një lloj i ri i koronavirusit, i cili nuk është identifikuar më parë tek njerëzit. Shenjat e zakonshme te personat e infektuar përfshijnë simptomat e aparatit të frymëmarrjes: ethe, kollë, gulçim dhe vështirësi në frymëmarrje.
Ndërkohë që, në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë respiratore akute, insuficiencë të veshkave, madje edhe vdekje.
Rekomandimet standarde për të zvogëluar ekspozimin dhe transmetimin e një sërë sëmundjesh përfshijnë: ruajtjen e higjienës së duarve dhe të frymëmarrjes, praktikat e higjienës ushqimore, si dhe kur është e mundur shmangia e kontakteve të ngushta me çdo person që shfaq simptoma të sëmundjeve respiratore, si kollë apo teshtitje.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.