A mbijeton dot me pagën minimale? – Në Shqipëri, shporta bazë e ushqimeve, sa 31% e saj. Pranë fundit të Europës
“Picodi”, që është një ndër shërbimet më prestigjioze në botë sa i përket ofrimit të kuponeve dhe zbritjeve për produkte nga më të ndryshmet ka publikuar një studim mjaft interesant, duke analizuar 52 shtete të botës se si mund të mbijetosh me pagën minimale.
Një prej këtyre shteteve është pikërisht Shqipëria. Analiza është bërë duke matur se sa peshë zë shporta e ushqimeve në pagën minimale mujore.
Si pjesë e shportës së ushqimeve duke llogaritur nevojat bazike mujore të një individë janë përfshirë: 8 bukë, 1.5 kilogramë oriz, 20 vezë, 10 litra qumësht, 6 kilogramë mish, 6 kilogramë fruta, 8 kilogramë perime dhe 1 kilogramë djathë.
Në Shqipëri, të gjitha këto produkte përfaqësojnë 31% të pagës mesatare mujore, që në studim është përafruar në 240 dollarë, pra është marrë parasysh edhe ndryshimi i fundit, nga 24 mijë në 26 mijë lekë në muaj.
Sipas këtij studimi, shporta e ushqimeve në Shqipëri fiksohet në 74 dollarë në muaj. Por si krahasohet vendi ynë me shtetet e tjera të Europës dhe botës në këtë drejtim? Ndër këto 52 shtete të marra në analizë, Shqipëria renditet e 33-ta.
Në Europë Shqipëria lë pas Ukrainën, Moldavinë, Bjellorusinë, Rusinë dhe Bullgarinë. Në këtë të fundit, që është edhe vendi më i varfër i Baqshkimit Europian, shporta e ushqimeve është sa 31.6% e pagës minimale.
Në Serbi norma fiksohet në 26.9%, në Francë në 12.7%, Gjermani 9.8%. Australia është vendi më i mirë në botë për të mbijetuar me një punë, pasi shporta bazë e ushqimeve zë vetëm 6.7% të pagës minimale, ndërkohë që nga krahu i kundërt i tabelës është Nigeria, me shportën që zë 194.7% të pagës minimale mujore.
Të gjitha të dhënat e marra në këtë analizë i referohet muajit Janar të këtij viti. Jo shumë vende të botës e parashikojnë pagën minimale ç`ka bën që edhe vendet e marra në analizë të jenë të kufizuara.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.