A po ‘ndërgjegjësohen’ këmbësorët? Instat: Ulet me 42 % numri i aksidenteve si pasojë e sjelljes së këmbësorit
Në 7 mujorin e parë të vitit 2019, numri i aksidenteve si pasojë e sjelljes së këmbësorit është ulur me 42.3% krahasuar me po të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Referuar publikimit më të fundit të Instat mbi Aksidentet Rrugore, në janar- korrik 2019 janë numëruar 116 aksidente rrugore si pasojë e ‘gabimeve’ të këmbësorëve, nga 862 aksidente rrugore gjithsej.
Për po të njëjtën periudhë të këtij viti, ka pasur 201 të tilla, duke ndjerë një rënie me 85 aksidente në këtë 7 mujor.
Ndërkaq, në muajin korrik, afro 90 % e aksidenteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur nga grup mosha 25-35 vjeç.
Sipas të dhënave të Instat, kjo grup moshë është treguar ‘më e shkujdesur’, pasi rezulton të ketë rritur numrin e aksidenteve 15.4% krahasuar me korrikun e vitit 2018.
Për sa i përket të dhënave të përgjithshme të Institutit të Statistikave, në periudhën janar- korrik 2019, numri total i aksidenteve është ulur me 10.9% krahasuar me janar- korrik 2018.
Në 7 mujorin e parë 2019 janë numëruar 862 aksidente, 105 më pak nga 7 mujori i parë i vitit 2018.
Qarku i Tiranës mbart numrin më të lart të aksidenteve, me 373 të tilla, më pas Qarku i Lezhës, me 90 të tilla dhe ndiqet nga Qarku i Fierit, me 69 aksidente rrugore për janar- korrik 2019.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.