Abuzime me tarifat e ujit – ERRU gjobit ujësjellësit: Edhe veprimtari pa licencë
Me rishpalljen e reformës, duket se Enti Rregullator i Ujit po përdor një politikë më të shtrënguar ndaj shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve, që janë kritikuar shpesh për performancë jo të mirë financiare. Pas një periudhe të gjatë pa ndëshkime, vetëm në muajin qershor ERRU ndërmori masa administrative ndaj 2 shoqërive si dhe ka nisur një proces të tretë për ujësjellësin e Dibrës.
Referuar vendimeve, Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Kavajë është dënuar me gjobë në shumën 300 000 lekë për ushtrimin e veprimtarisë pa licencë si dhe me gjobë në shumën 100 000 lekë për mospagimin e detyrimeve financiare ndaj Entit Rregullator. Po ashtu, në vazhdën e penalizimeve, me 100 mijë lekë është gjobitur edhe ujësjellësi i Tropojës, pasi nuk ka zbatuar vendimin për tarifat në fuqi. Paralelisht, ERRU ka nisur procedurën e marrjes së masave administrative edhe për shoqërinë e ujësjellës Kanalizime Dibër, pasi rezulton se ka detyrime të pashlyera të pagesës rregullatore ndaj Entit në vlerën 1 412 100 lekë.
Po ashtu, është konstatuar se kjo shoqëri nuk zbaton vendimet e ERRU për tarifat, qoftë për ujin e pijshëm ashtu edhe ujërat e ndotura. Në vazhdën e reformës në këtë sektor të rëndësishëm, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve ka nënshkruar me shoqëritë e ujësjellësve kontratat e performancës, ndërkohë që në bazë të rezultateve që do të vlerësohen në fund të vitit do të përcaktohet edhe financimi që do u bëhet këtyre shoqërive nga buxheti i shtetit. Sipas raportit të fundit të performancës, publikuar nga ERRU rezulton se nga 58 shoqëri të licencuara, 37 subvencionohen nga shteti.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.