Abuzime në Bashkinë e Kukësit – KLSH kallëzon penalisht kryetarin, dëmi ekonomik nga shkeljet 124 mln lekë
Dëmi ekonomik i shkaktuar nga shkeljet dhe abuzimet me detyrën të kreut ë Bashkisë së Kukësit arrin në 59 milionë lekë. Shpenzime jo në përputhje me administrimin e fondeve publike me ekonomicitet, efektivitet dhe eficiencë në vlerën 65 milionë lekë, sipas auditit të realizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Më konkretisht shkeljet janë konstatuar në shërbimi mirëmbajtjes dhe riparimit të automjeteve, rikonstruksion i qendrës sociale-Kukës, mirëmbajtje dhe pastrim i rrugëve nga dëbora, mirëmbajtje e rrjetit rrugor rural të Bashkisë Kukës si dhe një sërë shkeljesh që kryesisht kanë të bëjnë me mirëmbajte të rrugës.
Në lidhje me shkeljet e sipërcituara, KLSH ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, kallëzimin penal ndaj Kryetarit të Bashkisë Kukës dhe Titullarit të Autoritetit Kontraktor me akuzën e konsumimit të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
KLSH, me qëllim përmirësimin e situatës, i ka rekomanduar Bashkisë Kukës masa me karakter organizativ në lidhje me eliminimin e praktikave që kanë sjellë impakt negativ në buxhetin e institucionit, kryesisht në administrimin e tatimeve dhe taksave, në vlerën 32 milionë lekë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.