Abuzimi me ilaçet, ushqimet dhe fruta-perimet – 8 pronarë procedohen penalisht, 6 të tjerë gjobiten
8 administratorë subjektesh janë proceduar penalisht dhe 6 të tjerë janë ndëshkuar me masë administrative, gjatë 48 orëve të fundit.
“Në Tiranë u proceduan penalisht 5 administratorë, ndërsa 1 administrator u ndëshkua me masë administrative 50.000 lekë, pasi ushtronin aktivitetin e shitjes së produkteve ushqimore, pa e regjistruar pranë organeve tatimore dhe dyshohet se kanë përpiluar fatura tatimore të shitjeve fiktive të çmimit të produkteve që tregtojne pikat e pakicës, duke abuzuar dhe përfituar me çmimet e tyre” shkruan Policia në njoftimin zyrtar.
Nga ana tjetër, në Durrës janë gjobitur me nga 50.000 lekë secili 3 shtetas, 2 pronarë artikujsh ushqimor, pasi tregtonin mallra pa faturë, si dhe 1 pronar i një farmacie, pasi nuk e kishte të afishuar listën e çmimeve.
Nga kontrollet e Policisë, në Vlorë është proceduar penalisht administratori i një supermarketi në lagjen “Uji i Ftohtë”, pasi i janë gjetur dhe bllokuar produkte të skaduara. 2 administratorë të tjerë me aktivitet po në Vlorë, janë gjobitur me përkatësisht 80.000 dhe 50.000 lekë, pasi subjektet e tyre me artikuj ushqimor dhe industrial u gjendën të parregullt në ushtrimin e aktivitetit.
Edhe në Elbasan janë proceduar penalisht 2 administratorë, pasi nga kontrollet e policisë rezultoi se ushtronin aktivitetin e shitjes së produkteve ushqimore dhe farmaceutike, pa faturë tatimore dhe pa u regjistruar pranë organeve tatimore.
“Kontrollet do vijojnë në të gjithë vendin pa ndërprerë dhe në këtë kuadër Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në 112 e Komisariatin Dixhtal çdo rast abuzimi me çmimet apo me afatet e skadencës së produkteve që ata blejnë” rikujton Policia të gjithë qytetarët.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.