Administrimi i pallateve – Pagesat mujore arrijnë deri në 20.000 lekë
Qytetarët e Tiranës të cilët jetojnë në pallate, qofshin këto objekte të ndërtuara para viteve ’90 apo të ndërtuara së fundmi, janë të detyruar sipas ligjit të paguajnë administratorin e pallatit, i cili do të përgjigjet për çdo problematike që haset në mjediset e përbashkëta.
Për 5000 pallate në Tiranë është menduar që të regjistrohen dhe të pajisen me licencë 3000-5000 administratorë.
Një prej administratorëve të një kompleksi në Tiranë, Isidor Koti thekson se tarifat që duhet te paguajë çdo familje përcaktohen nga kryesia e banorëve të kompleksit dhe kjo pagesë është në varësi të shërbimeve që ofrohen e cila varion nga 8000 deri në 20 000 mije lekë.
Koti thekson se duhet bërë më shumë për ndërgjegjësimin e qytetarëve ne këtë drejtim duke veçuar si më problematikë ato të pallateve të vjetra ku edhe pagesa është më e vogël deri në 5000 lekë.
Bashkia e Tiranës është institucioni përgjegjës, i cili tashmë ka marrë në dorë zbatimin e ligjit për “Administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit” të miratuar në muajin prill të vitit 2009.
Aktualisht janë organizuar 800 kryesi dhe asamble të cilat kanë marrë vendimin për zgjedhjen e administratorëve të pallateve, por edhe pagesave të cilat duhet të paguajnë banorët.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.