Aeroportet, shtimi i destinacioneve ndikoi direkt në rritjen e pasagjerëve – Raporti: Shqipëria bëri më pak se rajoni
Lidhja mes tyre e aeroporteve në vendet e Europës është zhvilluar shumë gjatë 10 viteve të fundit, duke bërë që qytetet dhe rajonet të jenë më pranë njëri-tjetrit, si dhe duke ndikuar direkt në numrin e pasagjerëve. Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve ka publikuar raportin e tij të fundit mbi indeksin e ndërlidhjes së aeroporteve, ku Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në Europë.
Indeksi përdor dy matës kryesorë: atë të ndërlidhjes direkte, e cila përfshin numrin e destinacioneve direkte dhe cilësinë e tyre; si dhe ndërlidhjen indirekte, e cila mat numrin e vendeve ku një njeri mund të shkojë përmes fluturimeve tranzit, duke u nisur nga një aeroport i veçantë.
Vitet e fundit, aeroporti i vetëm ndërkombëtar në vend, ai i Rinasit ka bërë shumë pak për të rritur numrin e fluturimeve direkte. Në një dekadë ato janë shtuar me vetëm 18%. Kjo është një rritje e pamjaftueshme nëse e krahasojmë me vendet e rajonit. Në Maqedoni fluturimet direkte janë rritur me 70%, në Serbi me 61.2%, ndërsa Mali i Zi i ka dyfishuar destinacionet duke u rritur me 103.5%. Më dobët performon vetëm Bosnja dhe Hercegovina, vend i cili është i fundit në pikëzimin e ndërlidhjes direkte.
Megjithatë, Shqipëria kompenson me rritjen e numrit të destinacioneve indirekte, çka ka ardhur si pasojë e zgjerimit linjave që operojnë në vend.
Në shumatoren e pikëve, Shqipëria tejkalon me pikë Bosnje Hercegovinën dhe Maqedoninë, por mbetet sërish pas Malit të Zi dhe Serbisë. Diferenca është edhe më e theksuar nëse bëjmë krahasime me Kroacinë. Aeroportet e Kroacisë marrin në total 4,881 pikë në ndërlidhje, krahasuar me 820 pikë të aeroportit “Nënë Tereza”.
SCAN ka bërë një analizë të rritjes së ndërlidhjes së aeroporteve në Ballkan 5 vitet e fundit dhe rritjes së numrit të pasagjerëve gjatë këtij viti. Dy grafikët kanë një lidhje direkte me njëri-tjetrin, çka do të thotë se me shtimin e destinacioneve janë shtuar rrjedhimisht edhe individët që përdorin transportin ajror.
Shtimi i aeroporteve në Vlorë dhe Kukës pritet të japë një efekt pozitiv në këtë indeks, duke shtuar numrin e linjave dhe destinacioneve direkte e indirekte. Rrjedhimisht, kjo do të japë një kontribut shtesë edhe në shtimin e pasagjerëve.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.