Aeroporti i Kukësit, hapet tenderi 14.8 milionë lekë për ruajtjen dhe sigurinë
Edhe pse nuk ka kryer as edhe një fluturim të vetëm dhe është prej muajsh i paoperueshëm, aeroporti i Kukësit vazhdon të gërryejë nga fondet e buxhetit të shtetit.
Autoriteti i Aviacionit Civil ka hapur së fundmi tenderin për ruajtjen dhe sigurinë e këtij aeroporti, me një fond limit prej 14.8 milionë lekësh.
Shpenzimi do të shkojë për mbikëqyrjen dhe ruajtjen 24 orë të perimetrit të objektit nga rreth 25 roje në ditë, në vendrojet e përcaktuara.
Një vit më parë, Prokuroria nisi hetimet bazuar në informacionet se rezulton 38 persona të punësuar në mënyrë fiktive, të cilët e merrnin pagën rregullisht. Gjithashtu, tenderi i vitit 2016 për ruajtjen e aeroportit u shoqërua me ankimim për shkak se fituesi pretendohej të ishte shpallur pa ofertues në garë.
Për vënien në operim të këtij aeroporti nevojiten rreth 3 milion euro, ndërsa nuk është bërë asnjë investim shtesë prej vitesh, duke e lënë atë vetëm me një pistë modeste dhe një kullë.
Megjithatë, gjatë muajit Janar, kryeministri Rama njoftoi se kishte mbërritur edhe një kontakt serioz për të kryer investimin e nevojshëm dhe për ta kthyer këtë aeroport në funksional.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.