Aeroporti i Kukësit – Shpallet fituesi për studimin e hapësirës së fluturimeve
Albcontrol ka përzgjedhur kompaninë fituese, që do të kryejë studimin e hapësirës fluturuese të Aeroportit të Kukësit, duke rritur mundësitë e funksionimit të kësaj vepre infrastrukturore. Sipas formularit të fituesit, kjo kompania “Consulting & Management Albania” sh.p.k. duhet të përmbyllë këtë rpoces brenda një periudhe 3-mujore nga data e nënshkrimit të kontratës, e cila do të ketë një vlerë prej 10.8 milion lekësh.
Zhvillimi i këtij tenderi erdhi pak pas njoftimit të bërë nga kryeministri, Edi Rama mbi ekzistencën e një investitori serioz për këtë aeroport. Ndërkohë që përveç vlerësimit të përgjithshëm të fizibilitetit kompania fituese do të duhet të bëjë edhe rekomandimin mbi procedurat e përshtatshme të afrimit dhe nisjes si dhe llojin e operimeve në aerodrom, përfshirë llojet e avionëve që do të shërbejnë dhe drejtimin e zgjerimit të pistës nëse është e nevojshme.
Aeroporti i Kukësit iu është dorëzuar autoriteteve shqiptare në vitin 2006, por që prej asaj kohe nga ky aeroport nuk është realizuar asnjë fluturim. Deri 2 vite më parë, pengesa ishte marrëveshja koncesionare e aeroportit të Rinasit, që i siguronte këtij të fundit ekskluzivitetin e fluturimeve. Por, ajo tashmë është ndryshuar, duke hequr këtë pengesë për fluturime nga Kukësi.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.