Afrojnë zgjedhjet Europiane – Brukseli nis luftën kundër “fake news”. Do mbrojë 427 mln votues
Bashkimi Europian ka nisur një sulm të koordinuar kundër “fake news”, përpara zgjedhjeve të parlamentit këtë muaj, duke financuar organizata të kontrollit të fakteve, ndërtuar një mekanizëm për të luftuar informacionet e gabuara nga Rusia dhe duke mobilizuar Facebook, Google, Twitter dhe të tjera.
Brukseli kërkon të mbrojë 427 milionë njerëz që do të votojnë për parlamentin me 751 vende në datën 23 Maj. Facebook krijoi një hapësirë të luftës kundër “fake news” në fund të muajit Prill, por ekspertët e sigurisë thonë se mund të jetë shumë vonë për t’i bërë ballë fushatave të rrezikshme kundër zgjedhjeve më të mëdha në botë.
Lutz Guellner, një prej zyrtarëve më të lartë të BE për fushatat kundër informacionit të rremë, tha se kjo e fundit mund të vijë nga aktorë të brendshëm apo të jashtëm, duke përmendur burime të informacionit pro-Kremlinit.
‘Ne Jemi shqetësuar jo vetëm për reputacionin e institucioneve europiane, por edhe për manipulimin e hapësirës së informacionit. Kjo mund të ndodhë nga aktorë të brendshëm dhe të tjerë që vijnë nga jashtë. Ne kemi qenë aktivë për 3-4 vite, për të parë se çfarë mund të vijë nga burimet disinformuese pro-Kremlinit, u shpreh Lutz Guellner‘, kreu i njësisë së informacionit të KE .
Qeveritë e Bashkimit Europian dhe aleatët e NATO, bëjnë të ditur se Rusia po shënjestron zgjedhjet për të cënuar demokracinë perëndimore.
Pas zjarrit në katedralen Notre Dame në Paris, portalet mediatike ruse në Europë, fajësuan militantët islamikë dhe qeverinë perëndimore të Ukrainës.
Google deklaroi se në muajin Shkurt, kishte zbuluar rreth 21,000 llogari në Bashkimin Europian që thyenin rregullat.
Prej këtyre, 4,200 vinin nga Italia dhe Facebook bëri të ditur se ka mbyllur shumë llogari italiane gjithashtu.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.