Afron Dhjetori për BQE, Villeroy: Pasi të përfundojë skema, do të nisë normalizimi i politikave
Anëtari i bordit të Bankës Qendrore Europiane, Francois Villeroy, tha se politikat monetare në Eurozonë do të vazhdojnë të lehtësuara pas ndalimit të programit të blerjes së obligacioneve në muajin e ardhshëm.
Banka pritet të përfundojë programin e jashtëzakonshëm prej 2.6 trilionë euro në Dhjetor, duke krijuar mundësinë e rritjes së normave të interesit në verën e vitit 2019, që do të jetë edhe hera e parë në 8 vite.
“Blerjet neto të obligacioneve do të përfundojnë në Dhjetor. Megjithatë, fundi i blerjeve nuk nënkupton fundin e stimujve monetarë”, tha Villeroy, që është edhe guvernatori i bankës së Francës.
Ndërkohë që blerjet e bankës përfundojnë, sipas tij, do të ishte e rëndësishme që të adaptohej një ritëm i normalizimit të politikave, në varësi të të dhënave mbi ekonominë.
Për këtë objektiv, banka ka 3 mjete në dispozicion, si riinvestimi i stokut të borxhit, normat negative të interesit dhe operacionet rifinancuese të bankave.
Villeroy tha se preferon të ngadalësojë normën e riinvestimeve vetëm pasi normat e interesit të nisin rritjen.
“Për rrjedhojë, nuk jemi të detyruar që të nxitojmë, për të caktuar afatin ekzakt të periudhës së riinvestimit”, shtoi ai. Banka Qendrore Europiane mund të ofrojë gjithashtu likuiditet dhe kredi ndaj bankave nëse nevojitet, megjithatë, jo nën të njëjtat kushte si në të shkuarën.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.