Agjencia Evropiane e Barnave nis shqyrtimin e Sputnik V – Do të vlerësojë përputhjen me standardet e BE
Agjencia Europiane e Barnave ka nisur të shqyrtojë vaksinën Sputnik V të Covid-19 që është zhvilluar nga instituti i Epidemiologjisë dhe Mikrobiologjisë “Gamaleya” në Rusi.
Vendimi i agjencisë evropiane për të nisur rishikimin bazohet tek rezutlatet nga studimet laboratorike dhe klinike tek të rriturit. Këto studime tregojnë se Sputnik V nxit prodhimin e antitrupave dhe qelizave imunitare që shënjestrojnë SARS-Cov-2 dhe ndihmojnë me mbrojtjen kundër sëmundjes Covid-19.
Agjencia Evropiane e Barnave, do vlerësojë të dhënat kur të disponohen dhe do vendosë nëse përfitimet nga vaksina ruse tejkalojnë rreziqet. Rishikimi do vazhdojë deri sa të ketë prova të mjaftueshme për aplikimin për autorizim. Agjencia do vlerësojë përputhjen e Sputnik V me standardet e zakonshme të BE për efektshmërinë, sigurinë dhe cilësinë.
Sputnik V pritet të funksionojë duke përgatitur trupin që të mbrohet nga infeksioni me SARS-Cov-2. Ky virus përdor proteina në sipërfaqen e vetë, të quajtur proteina gjemb, për t’u kapur tek qelizat e trupit, ku injekton informacionin gjenetik dhe shkakton sëmundjen Covid-19.
Sputnik V përbëhet nga 2 viruse të ndryshme që i përkasin familjes së adenviruseve, Ad26 dhe Ad5. Këto adenoviruse janë modifikuar që të përmbajnë gjenin për të prodhuar proteinat spike apo gjemb të koronavirusit, por ato nuk mund të riprodhohen në trup dhe nuk shkaktojnë dot sëmundjen.
Dy adenoviruset janë dhënë veçmas: Ad26 përdoret në dozën e parë dhe Ad5, në të dytën, për të nxitur efektin e vaksinës. Pasi merret, vaksina fut gjenin e koronavirusit tek qelizat e trupit. Qelizat do përdorin gjenin për të prodhuar proteinën gjemb. Sistemi imunitar i njeriut do ta trajtojë këtë proteinë si trup të huaj dhe do prodhojë mbrojtje natyrore, antitrupa dhe qeliza T, kundër kësaj proteine. Nëse më vonë, personi i vaksinuar vjen në kontakt me SARS-CoV-2, sistemi imunitar do ta njohë proteinën tek virusi dhe do përgatitet për ta sulmuar. Antitrupat dhe qelizat T mund të bashkëpunojnë për ta asgjësuar virusin, duke parandaluar hyrjen tek qelizat trupore dhe shkatërruar qelizat e infektuara, e për rrjedhojë, do të mbrojnë kundër Covid-19.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.