Agrominiera në Shqipëri – Projekti europian për nxjerrjen e metaleve nga bimët po testohet në Pojskë dhe Domosdovë
Po sikur të mund t’i rrisnim metalet dhe t’i mblidhnim aq thjeshtë sa lulet, në vend që të gërmojnë vazhdimisht tokën? Kjo është ideja mbi të cilën bazohet projekti “LIFE-Agromine”, financuar nga Bashkimi Europian për të rritur prodhimin e nikelit, një prej metaleve më të kërkuar të dekadave të ardhshme.
Agrominiera bazohet në një proces shumë të thjeshtë, të quajtur fito-minim, ku bimët përthithin mineralet nëntokësore.
Shqipëria është përzgjedhur, së bashku me Greqinë, Spanjën, Francën dhe Austrinë, disa prej shteteve me prodhimin më të lartë të Nikelit në Europë për të testuar eficencën e kësaj metode dhe bimët më efektive.
Fushat e Pojskës e Domosdovës, buzë liqenit të Ohrit, janë mbjellur me një lule të quajtur “Alyssum murale”, ose shqip “Serice Muresh”. Pasi u pastruan e pluguan, ato u mbollën me varietete të ndryshme të bimës, në distanca të ndryshme.
Rezultatet erdhën shumë shpejt dhe janë mbresëlënëse: për 1 hektar tokë të mbjellur, arritën të grumbullohen në bimë deri në 120 kilogramë nikel, bazuar tek të dhënat e studimit të Departamentit të Agromjedisit dhe Ekologjisë në UBT, partner në këtë projekt me disa prej universiteteve e laboratorëve më prestigjiozë europianë.
serpentinite+ Hiperakumulatore e Nikelit, Boboshtice
Posted by Zhvillimi i qendrueshem i serpentinave on Saturday, June 1, 2013
Për të përftuar metalin, bimët duhen grumbulluar dhe djegur, duke përftuar hi të pasur me metalin e çmuar, i cili mund të ekstraktohet më pas në formën e kripërave të nikelit.
Metoda e fitominimit (phytomining) krahas nxjerrjes së mineraleve, ka edhe dy avantazhe të tjerë më shumë se teknikat klasike të gërmimit: ajo inkurajon ekosistemin, i cili është shpesh i shkatërruar nga industria minerare, si edhe lejon rikthimin e tokave të braktisura e djerrë në gjendjen e tyre normale.
Një proces i tillë është një shembull mjaft i mirë i ekonomisë qarkulluese, objektiv parësor i Bashkimit Europian.
Në kontekstin shqiptar, ekstraktimi i nikelit mund të jetë shumë premtues, duke përfituar edhe nga popullimet natyrale të bimës “Alyssum murale”.
Krahas, Pojskës e Domosdovës, ka një përqindje të madhe tokash në vendin tonë që janë të përshtatshme për këtë metodë nxjerrjeje. Tokat ultramafike zënë rreth 10% të territorit të Ballkanit dhe një përqëndrim i lartë i nikelit dhe metaleve të tjera të rënda vihet re në zonat e testuara në Hudenisht, Cervenakë, Guri i Kuq.
Sipas depozitave më të mëdha të mineralit të hekur-nikelit dhe nikel-silikatit, rajonet kryesore për zhvillimin e agrominierave janë Librazhdi, Prrenjas-Pogradeci, Bilishti dhe rajoni Has-Kukës-Joshur.
Fitoekstraktimi është një proces që po testohet gjithashtu edhe në tokat e ndotura të Kombinatit metalurgjik Elbasan, një nga projektet kryesore të zhvillimit për periudhën 2010-2014.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.