Agroturizmi dhe zhvillimi i zonave rurale – Ja si do të shpërndahen fondet dhe si mund të përfitoni
Qeveria shqiptare ka miratuar të mërkurën degët ku do të shpenzohen fondet për zhvillimin rural, të cilat përfshijnë edhe diversifikimin e aktivitetit ekonomik në këto zona, pa u limituar nga lista me 100 fshatra.
Turizmi do të marrë një dimension më të madh duke ndikuar pozitivisht në jetën dhe ekonominë e fshatrave. Ministria e Bujqësisë do të garantojë mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve për veprimtari të turizmit rural nga 6 deri në 10 dhoma, deri 50% të vlerës totale, deri në 1.5 milionë lekë.
Mbështetja për investime në agroturizëm kundrejt planit të biznesit do të mbulojë deri në 50% të vlerës totale, deri në 20 milionë lekë.
Mbështetje në të njëjtën masë do t’i jepet edhe ngritjes apo rikonstruksionit të ambienteve të prodhimit të produkteve tradicionale të zonës, për një vlerë deri në 1 milion lekë. Ndërsa pajisja me makineri për prodhimin e produkteve tradicionale do të subvencionohet deri në 500 mijë lekë. Marketingu, që përfshin edhe linjat e ambalazhimit dhe paketimit, do të mund të përfitojë deri në 70% të vlerës së faturave tatimore, për një shumë maksimale prej 700 mijë lekësh.
Ashtu si për fermerët e rinj, një mbështetje e veçantë do t’i jepet individëve të moshës 22 deri në 35 vjeç, duke financuar 50% të sipërmarrjeve të reja të ngritura prej tyre, për një vlerë deri në 500 mijë lekë.
Për përmirësimin e kushteve në stane për bagëtitë e imëta, pra rikonstruksion dhe pajisje me panele diellore, qeveria do të subvencionojë 80% të vlerës, deri në 200 mijë lekë.
Edhe për ngritjen e inkubatorëve të prodhimit të produkteve tradicionale të zonës do të subvencionohet 70% e vlerës deri në 15 milionë lekë. Një mbështetje e madhe do t’i jepet edhe rrjetit të subjekteve që shesin me pakicë produkte ushqimore të prodhuara në vend, në masën 50% të vlerës deri në 2 milionë lekë.
A.H./SCAN
Fondet e bujqësisë për vitin 2018 – Miratohet kriteret për përfitimin e fermerëve. Detajet e plota
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.