Ahmetaj: FMN, sukses i plotë – FMN: Dy nga tre objektivat shtesë nuk u realizuan
Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka cilësuar si një sukses programin tre vjeçar të sapo mbyllur me vendin tonë.
“Falë angazhimit të autoriteteve shqiptare, ne arritëm të mbështesim reformat që janë jetike për rritjen. Programi forcoi kornizën institucionale, uli vulnerabilitetin e ekonomisë, si dhe ndihmoi në ruajtjen e stabilitetit ekonomik pavarësisht kushteve të jashtme të vështira“-thuhet në njoftimin e institucionit me bazë në Washington.
Fondi radhit edhe 8 arritjet e programit në vendin tonë, si rritja ekonomike mbi 3%, ulja e borxhit publik, shlyerja e detyrimeve të prapambetura të qeverisë, apo forcimi i kornizës fiskale dhe financiare.
Pavarësisht kësaj, vijon intitucioni, Shqipëria duhet të vijojë të bëjë përpjekje për të forcuar rritjen dhe rezistencën e ekonomisë duke sugjeruar: përpjekje të mëtejshme për uljen e borxhit publik, reformën e taksave, përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe modernizimin e adminisratës së taksave.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i ka bërë jehonë vlerësimit të FMN-së. “Fondi Monetar Ndërkombëtar në deklaratën për mbylljen e programit e vlerëson marrëveshjen me Shqipërinë, si një sukses të plotë“-thotë Ahmetaj.
Pavarësisht se fondi flet për sukses, në një raport të detajuar, institucioni nënvizon se ky sukses është disi i cunguar.
“Të gjitha kriteret e performancës u arritën, pavarësisht se dy nga tre objektivat indikativë dështuan për shumë pak”.
Në objektiva të tjera, institucioni flet për vonesa në realizimin e tyre. Objektivat indikativë janë kritere shtesë që Fondi i vendos vendeve që kanë program me të, kur kriteret kuanitativë të performancës janë të pamjaftueshëm apo të pasigurtë. Më saktësisht një nga dy objektivat indikativë të parealizuar është ai i reduktimit të humbjeve në sektorin energjetik.
“Kjo vjen si pasojë e vonesave në investime që janë theblësore për të ulur humbjet teknike“-nënvizon vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar.
“Edhe objektivi shtesë i muajit tetor për akumulumin e detyrimeve të prapamebutura të qeverisë qendrore ka dështuar për shumë pak, 0.2% të PBB, kryesisht falë shpenzimeve për ndërtimin e rrugëve dhe projekteve të infrastrukturës ujore, por edhe si pasojë e vendimeve të gjykatave“-vijon Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.