Akademia Profesionale e Biznesit – Diplomohen 206 studentë në Ekonomik dhe Juridik
Akademia Profesionale e Biznesit ka shpërndarë këtë të martë diplomat për 206 studentë. Pas përfundimit të studimeve 57 studentë të Juridikut dhe 149 të ekonomikut u kurorëzuan me diplomë në dy ciklet e studimit, Bachelor dhe Master. Gjatë ceremonisë, President i Akademisë, Ylber Bezo, teksa uroi studentët e diplomuar u shpreh se kjo akademi është e vendosur të shtojë punën e saj për të rritur akoma më shumë vlerat e diplomave që lëshon
“Ne jemi të vendosur për të shtuar punën dhe sistemin e vlerave tona, me qëllim që emri i Akademisë Profesionale të Biznesit të lartësohet dhe vlerat e diplomës suaj të shtohen, të nderohen dhe të respektohen kudo. Ju ftoj të gjithëve kudo që të ndodheni ju studentët tanë, të mbani lart me punën dhe vlerat tuaja emrin e diplomës suaj por edhe të Akademisë Profesionale të Biznesit”, u shpreh Bezo.
Rektori i kësaj Akademie, Irakli Koçollari iu drejtua studentëve, të cilët tashmë janë të gatshëm për tregun e punës, për të kontribuar në mirëqenien ekonomike të vendit dhe në mbrojtjen e të drejtës dhe ligjit.
“Luftoni çdo ditë me mendje edhe me zemër që të kontribuoni në lumturinë, progresin dhe mirëqenien ekonomike të vendit tonë, të shoqërisë sonë, pasi kështu ju keni kontribuuar për lumturinë tuaj personale, të fëmijëve tuaj dhe të brezave që do të vijnë. Iu drejtohem ju juristë, që të kini në mendje se e tërë udha e historisë së njerëzimit, që prej lashtësisë e gjer më sot na tregon se drejtësia përherë ka qenë e kërcënuar dhe e rrezikuar. Prandaj luftoni dhe sakrifikoni çdo ditë, çdo orë, çdo moment për të mbrojtur të drejtën dhe ligjin”, u shpreh Koçollari
Emocione shprehen edhe vetë studentët për vitet e studimit pranë Akademisë Profesionale të Biznesit. Ky është brezi i 7 i studentëve të diplomuar në APB.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.