AKEP shpall garën – Kërkon 22.3 milionë euro për brezin 800 Mhz
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka hapur zyrtarisht garën për dhënien në përdorim të frekuencave në brezin 800 Mhz. Bëhet fjalë për brezin e frekuencave të liruara nga transmetimet analoge dhe që do të shërbejnë për rritjen e kapacitetiut të transmetimit të të dhënave nga rrjetet celulare. Përdorimi i këtyre frekuencave pritet të rrisë kapacitetet e transmetimit të internetit me brez të gjerë në rrjetet e lëvizshme.
KEP ka vendosur që numri maksimal i autorizimeve që do të jepen do të jetë tre, çka iu jep hapësira të tre operatorëve celularë ekzistues për të përfituar spektër shtesë. Procedura e tenderimit do të bëhet duke i vlerësuar ofertat me raunde, me qëllim krijimin e mundësive të marrjes së frekuencave në këtë brez të paktën për tre operatorët aktualë të shërbimeve të lëvizshme. Sidoqoftë, në teori gara është e hapur edhe për ofertues të tjerë. AKEP ka përcaktuar se vlera minimale e ofertave për secilin autorizim duhet të jetë 7.44 milionë euro.
Pritshmëritë e AKEP janë për t’i siguruar buxhetit të paktën 22.3 milionë euro nga dhënia në përdorim e këtyre frekuencave. Megjithatë, duke pasur parasysh komentet e operatorëve në fazën e konsultimit publik, nuk është e thënë që të gjithë do të jenë të gatshëm ta paguajnë një shumë të tillë. Vitin e kaluar, të gjithë operatorët deklaruan rezultat financiar me humbje, ndërsa edhe në vitet e mëparshme dukej qartë një tendencë për rënie të fortë të fitimeve, e shkaktuar nga konkurrenca e ashpër dhe nga forcimi i rregullimit të tregut.
AKEP vlerëson se dhënia e brezit 800 Mhz në përdorim për sipërmarrësit e komunikimeve elektronike do të ketë një impakt të ndjeshëm në të gjithë zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë. Zhvillimi i infrastrukturës broadband në të gjithë vendin do të rriste aksesin në shërbimet elektronike në fusha të ndryshme si në tregti, shëndetësi, edukim apo në shërbimet publike në përgjithësi. Përmes këtij brezi, pritet të rritet depërtimi i shërbimit te internetit në familjet shqiptare, edhe në zonat rurale dhe me dendësi të vogël popullsie.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.