Akreditimi i Universiteteve, ASCAL: Procesi 100% pozitiv. Nikolla: Cilësi e përshtatje me tregun e punës
Vijon procesi i akreditimit të universiteteve në vendin tonë ku në fazën e fundit morën pjesë të 35 institucionet e larta arsimore.
Nga ky proces 4 universitete janë vlerësuar maksimalisht me 6 vite. Gjatë prezantimit të raportit final ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Lindita Nikolla u shpreh se vlerësimi ka qenë i pavarur politikisht.
“Nuk ka asnjë përfaqësuese të kabinetit të ministres së Arsimit, dhe për këtë unë jam absolutisht mirënjohëse dhe e vendosur për të ecur përpara, si një parakusht për të thënë edhe në mënyrë qartë, që është një bord akreditimi tërësisht i ndarë nga politika”.
Nikolla theksoi se brenda 6 muajve do fillojë akreditimi i programeve në institucionet shtetërore si edhe shprehu angazhimin e ministrisë për vijimin e inspektimeve për plotësimin e kritereve ligjore në institucionet e arsimit të lartë, për të siguruar cilësinë e diplomave dhe përshtatjen me tregun e punës.
“Jemi në momentin e duhur pas këtij verifikimi serioz, për të vijuar më pas me akreditimin e programeve, por ne do të vijojmë me detyrën tonë për të proceduar me inspektimin e radhës për verifikimin e kritereve ligjore. Prioriteti ynë në shëndoshjen e institucioneve, cilësi të diplomave të krahasueshme me ato të vendeve më të mira, por patjetër për ti lidhur në mënyrë integrale me vendet e punës”.
Nga ky proces, universitetet që plotësonin pjesërisht kriteret, u janë lënë 143 rekomandime nga agjencia e sigurimit te cilësisë në arsimin e lartë.
Sipas anëtarëve të bordit të akreditimit, 1/3 e shpenzimeve të procesit mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërsa pjesa tjetër nga vetë institucionet e arsimit të lartë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.