Aksi i ri për zhvillimin turistik e rural – Nis rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës! Rruga 100 kilometra lidh “Bypass-in” e Vlorës me Qeparoin
Fondi Shqiptar i Zhvillimit informon lidhur me krijimin e një hapësirë të re urbane, përmes rehabilitimit të rrugës së Lumit të Vlorës.
Rruga me gjatësi rreth 100 kilometra do të lidhë “Bypassin” e Vlorës me Qeparoin duke kaluar nëpërmjet Urës së Peshkëpisë, Urës së Laskos, Kuç-it dhe një sërë fshatrash të tjerë.
Rruga gjithashtu do të ketë dhe një degëzim me kryqëzimin e autostradës Levan-Tepelenë.
Aksi do të financohet nga Qeveria Shqiptare, Fondi i Kuvajtit dhe Fondi Saudit. Korridor i ri, i cili do të lidhë qarkun e Vlorës me bregdetin Jonian, do të jetë me standardet më bashkëkohore.
Më herët rruga paraqitej në gjendje të amortizuar dhe në disa segmente e pakalueshme, për shkak të dëmtimeve të rënda.
Projekti synon të ndihmojë duke krijuar një dalje të shpejtë dhe direkte të produkteve të zonës në tregjet vendase dhe të rrisë mundësitë për të stimuluar industri përpunuese të prodhimeve bujqësore e blegtorale. Gjithashtu do të mundësohet një hapësirë e re, në funksion të nxitjes së turizmit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.