Aksi Kardhiq-Delvinë – Shpallen fituesit e tenderit, do kushtojë 4.18 mld lekë
Me një vlerë totale prej 4.18 miliard lekë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur kompanitë fituese që do të kryejnë punimet e mbetura në aksin Kardhiq-Delvinë.
Punimet në lotin 4, me një gjatësi prej 6.1 km, kapin vlerën e 2.38 miliard lekëve, ndërkohë që financimi i tij do të bëhet përgjatë 3 viteve. Për vitin 2018 buxheti i vënë në dispozicion është 576 milion lekë, ndërkohë që fitues për këtë segment është shpallur bashkimi i kompanive Cobial SHPK dhe Gjoka Konstruksion.
Ndërkaq, kosto për ndërtimin e lotit 5 të këtij segmenti është rreth 1.8 miliard lekë, ndërsa fituese është shpallur kompania “ALB STAR”, me një afat të zbatimit të kontratës prej 24 muajsh.
Kardhiq-Delvinë është cilësuar si një prej akseve prioritare, duke qenë se shkurton në 3 orë kohën e udhëtimit nga Tirana në Sarandë, çka pritet të zhvillojë edhe më tej turizmin.
Ndërtimi i këtij aksi ka nisur që në kohën kur qeveria drejtohej nga të djathtët, por punimet u ndërprenë duke mos e përfunduar. I gjithë aksi ka një gjatësi prej 34 km, ndërkohë që deri më tani kanë përfunduar 7.6 km nga Ura e Kardhiqit drejt Fushë-Bardhës si dhe 9.7 km nga Delvina në drejtim të Vergos.
Fillimisht ky aks u rendit nga qeveria shqiptare si pjesë e projektit ‘1 miliard’, por në vijim u vendos që të financohet nga buxheti i shtetit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.