Aksi Pogradec-Tushemisht – Ja projekti i për rindërtimin, financimi nga Banka Botërore
Aksi rrugor Pogradec-Tushemisht, i kritikuar shpesh nga turistët që vizitojnë qytetin juglindor pritet të rindërtohet. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka gati projektin, që do u prezantohet banorëve në fund të muajit korrik, ndërkohë që financimi tashtë është siguruar nga Banka Botërore. Projekti për këtë aks të rëndëisishëm nga pikëpamja turistike, parashikon përmirësimin e të gjitha rrjeteve të infrastrukturës, duke përfshirë muret mbajtës, shtresat ekzistuese, si dhe përmirësim të segmentit me elementë të tillë si korsi me biçikleta, shtigje në këmbë, ndriçim, gjelbërimi, etj,.
Po ashtu, parashikohet rehabilitimi i infrastrukturës ekzistuese sipërfaqësore dhe nëntokësore. Sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në gjendjen aktuale, rruga nuk mund të trajtojë lirisht rrjedhën në rritje të turistëve që vizitojnë qytetin dhe liqenin. Aktualisht, për të vizituar parkun natyror Drilon, automjetet turistike përdorin rrugën paralel me liqenin e Ohrit, ndërkohë që Bashkia e Pogradecit ka në plan të transformojë këtë rrugë paralele në një rrugë për këmbësorë dhe të rehabilitojë segmentin e propozuar Pogradec-Tushemisht për të trajtuar trafikun e automjeteve.
Në muajin prill të këtij viti Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi financimin prej 50 mln dollarësh, i cili parashikon rehabilitimin e 55 km rrugë me qëllim përmirësimin e aksesit në qendra bujqësore dhe turistike në vend. Në vitin e parë, 3 janë segmentet rrugore që do të rehabilitohen, ku përveç aksit Pogradec-Tushemisht do të ndërhyhet edhe në akset Fier-Seman dhe Qafë Thore-Theth.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.