Aksi Qukës-Qafë Plloçë – Gjiknuri: Mbyllet në 2019-ën. Ahmetaj: Investime masive në infrastrukturë
Ndërtimi i aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë, me një gjatësi prej 40 km do të përfundojë në vitin 2019”. Lajmi është bërë me dije nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili bashkë me ministrin Arben Ahmetaj inspektuan punimet në këtë vepër infrastrukturore.
“Kompanitë po bëjnë një punë shumë të mirë dhe me zgjidhjen e problemeve të mbetura të projektit, besoj kjo rrugë do të jetë funksionale në vitin 2019 duke kompletuar këtë segment të rëndësishëm, duke afruar Korçën me Tiranën dhe pjesën tjetër të Shqipërisë. Në filozofinë tonë është ajo çka e kemi deklaruar, që duhet të përfundojmë të gjitha projektet e nisura. Fatkeqësisht, megjithëse është thënë që janë filluar rrugë ato asnjëherë nuk kanë qenë plotësisht të financueshme. Njëkohësisht do të hapim dhe ato segmente që kompletojnë arteriet e vendit”, tha Gjiknuri.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë garantoi se qeveria ka një plan të qartë në Buxhetin afatmesëm që krijon hapësirat fiskale për investimet masive në infrastrukturë, pa cënuar stabilitetin.
“Qeveria shqiptare ka një plan shumë të qartë në Buxhetin afatmesëm, me hapësirat e duhura fiskale, për të kaluar edhe në projektin ‘1 miliard rindërtim’ me pesë segmente shumë të mëdha, të ndara gjeografikisht në veri dhe në jug të Shqipërisë. Në kuadrin e tre viteve, mendohet që viti 2018 do të jetë një vit shumë i rëndësishëm nga ana proceduriale e hartimit të projekteve, negocimit të kontratave. Fundi i vitit 2018, viti 2019, në vazhdim 2020 do të jenë vite kantieri shumë të rëndësishëm në të gjithë Shqipërinë. Sigurisht që siç e theksova, ne e kemi të maturuar dhe financimin brenda buxhetit afatmesëm ndaj nuk do të kemi surpriza fiskale negative por përkundrazi”, u shpreh Ahmetaj.
Punimet për aksin Qukës Qafë-Plloçë po vazhdojnë me intensitet në të 3 Lot-et, ndërsa në total vlerësohet se ka përfunduar mbi 50% e tyre.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.