Aksidentet rrugore – Bilanci: 166 viktima dhe 1.5 mld lekë dëme
Me kalimin e sezonit veror është zbutur edhe numri i aksidenteve rrugore. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, gjatë muajit shtator numërohen 172 aksidente rrugore, në rënie me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Bilanci i nëntëmujorit të parë të vitit, ngelet lehtësisht më i lehtë krahasuar me vitin 2016. Gjatë kësaj periudhe, janë regjistruar mbi 1200 aksidente, në një rënie modeste me 1% krahasuar të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Qarqet më problematike për numrin e aksidenteve janë Tirana, Durrësi, Lezha dhe Elbasani.
Bilanci i dëmeve në njerëz nga aksidentet ngelet i rëndë. Deri tani gjatë këtij viti, nga aksidentet rrugore kanë humbur jetën 166 persona dhe janë plagosur 198 të tjerë.
Megjithëse numri i aksidenteve ka rënë disi, sipas statistikave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, dëmet e paguara për aksidentet në tetë muajt e parë të vitit arritën në afro 1.5 miliardë lekë, në rritje me 12% krahasuar me një vit më parë. Kjo shumë përfshin dëmet e paguara në klasat e sigurimit të brendshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta dhe në sigurimin kaska të mjeteve tokësore.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.