Aksidentet rrugore – Në Shqipëri humbin jetën 330 persona në vit
Aksidentet rrugore në Shqipëri vijojnë të mbeten të larta edhe pse investimet nuk kanë munguar, si në sinjalistikë, ashtu edhe në infrastrukturë.
Sipas ekspertit rrugor Artur Sulçe, mesatarisht në vendin tonë humbin jetën nga këto aksidente 330 persona në vit me një kosto 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, çka tregon se investimet e bëra në këtë drejtim nuk kanë reflektuar ulje të numrit të personave që humbin jetën.
“Në vendin tonë, nëse do të shikojmë grafikët e aksidenteve rrugore, konstatojmë se përsëri jemi po në të njëjtin rend. Pra, nuk kemi arritur asnjë nga ato qëllime që u vendosën këto 4 vjet, pavarësisht investimeve të mëdha për të zvogëluar numrin e aksidenteve rrugore. Nëse do të llogarisim një analizë përfitimi, konstatojmë se këto masa që janë marrë nuk kanë qenë të efektshme për të zvogëluar numrin e aksidenteve”, u shpreh eksperti për TV SCAN.
Sipas Sulçes, e kundërta ndodh në vendet e zhvilluara ku masat që janë marrë kanë ndikuar në arritjen e rezultateve pozitive.
“Për Europën Perëndimore, apo edhe në shumë vende të tjera, konstatojmë se numri i aksidenteve vjen duke u zvogëluar, sepse masat paraprake të dhëna dhe përkatëse janë efikase dhe kanë arritur të realizojnë qëllimin global: që në 2030-ën mundësisht të ulet në 50% numri i aksidenteve”, tha Sulçe.
Rreth 1.2 milion persona në botë humbin jetën në një vit nga aksidentet rrugore dhe 50 milionë të tjerë pësojnë dëmtime.
Sipas ekspertëve, kostoja në rang botëror për aksidentet rrugore kap shifrën prej 1.7 trilion dollarësh.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.