Aksidentet rrugore rriten me nisjen sezonit veror
Nisja e sezonit veror ka sjellë shtimin e aksidenteve në Shqipëri. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, gjatë muajit qershor numri i aksidenteve rrugore të regjistruara ka arritur në 185, katër më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Bilanci i gjashtëmujorit të parë të vitit, ngelet sidoqoftë më i lehtë krahasuar me vitin 2016. Në gjashtë muaj, janë regjistruar 899 aksidente, 3% më pak krahasuar të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rënia e numrit të aksidenteve ka ndikuar në një bilanc më pak të rëndë të vdekjeve nga aksidentet krahasuar me një vit më parë. Sidoqoftë, deri në fund të qershorit 105 njerëz kanë humbur jetën në aksidente rrugore në Shqipëri.
Përmirësimi i bilancit të aksidenteve ka ardhur sidomos falë rënies së ndjeshme të tyre në qarqe si Durrësi, Shkodra dhe Korça, ndërsa për qarkun e Tiranës aksidentet rrugore janë në rritje edhe gjatë këtij viti.
Megjithatë, sipas statistikave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, dëmet e paguara për aksidentet në pesë muajt e parë të vitit arritën në 890 milionë lekë, në rritje me afro 12% krahasuar me një vit më parë.
Kjo shumë përfshin dëmet e paguara në klasat e sigurimit të brendshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta dhe në sigurimin kasko të mjeteve tokësore.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.