Aksioni “antiiformalitet 3” – Fushatë informimi nga Tatimet, hapet tender 2.4 mln lekë
Aksioni antiinformalitet 3, duket se do të pasohet edhe nga fushatë informuese për tatimpaguesit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka hapur procedurën e prokurimit publik për blerjen e materialeve publicitare, ndërkohë që fondi limit i vënë në dispozicion është rreth 2.4 milion lekë.
Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 3 nëntor, ndërsa bashkëngjitur njoftimit janë publikuar edhe modelet e fletëpalosjeve, që do të shërbejnë për informimin.
Këto materiale do të kenë në fokus të gjitha shërbimet që ofrohen nga Tatimet e më konkretisht regjistrimin e tatimpaguesve, ligjin e faljes së detyrimeve tatimore, rimbursimin e TVSH-së, derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, deklarimin elektronik , kuptonin tatimor, pajisjet fiskale, regjistrimin e biznesit, etj.
Aksioni “antiinformalitet 3” ka nisur prej 3 javësh, ndërkohë që sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve një pjesë e mirë e tij është fokusuar pikërisht te edukimi dhe informimi. Sipas DPT-së në këto tri javë, janë asistuar 22.042 qytetarë, janë zhvilluar 4.558 vizita këshilluese dhe 20 takime me përfaqësues të komuniteti të biznesit. Gjithashtu, me 10.596 tatimpagues është komunikuar elektronikisht, ndërsa qendra e thirrjeve ka asistuar rreth 5.280 telefonata.
Në përfundim të javës së tretë u penalizuan 1720 tatimpagues, ndërsa për 250 subjekte u mor masa e mbylljes së aktivitetit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.