“Aksioni antiinformalitet 3”, Konfindustria: Do jetë pa rezultat, duhet analizë e thelluar në ekonomi
Pas startimit të fazës së tretë të aksionit antiinformalitet ka reaguar Konfindustria, sipas të cilës “fushata e radhës e ekzekutivit për luftën kundër fshehjes fiskale ndaj bizneseve, ka mundësi të pakta për të prodhuar rezultate të qëndrueshme në afatgjatë”.
“Qëllimi i mirë për të ulur nivelin e lartë të informalitetit në ekonominë shqiptare, që është i rendit në 35-45% të PBB, duhet të jetë detyrë e vazhdueshme institucionale në zbatim të ligjeve dhe jo vetëm me fushata kohore dhe ndarje në kategori biznesesh të ashtuquajtur të “mëdhenj” dhe të “vegjël”, thuhet në deklaratën për shtyp të Konfindustria.
Që nisma të tilla të jenë të suksesshme, sipas Konfindustria duhet paraprakisht të shoqërohen me analizën e thelluar dhe luftën ndaj shkaqeve thelbësore, që prodhojnë nivelin e larte të informalitetit në ekonominë kombëtare.
“Barra tatimore mesatare ndër më të lartat në Rajon, proceduara të ndërlikuara nga sistemi i taksimit proporcional, ndarja e gabuar e kategorive të bizneseve, hapësirat subjektive të legjislacionit, janë shkaqe të rëndësishme, që në kushtet e rënies së potencialit përgjithshëm fiskal të ekonomisë, shtyjnë sipërmarrjen dhe individët drejt informalitetit”.
Konfindustria vlerëson, se pa u përballur fillimisht me shkaqet e paraqitura më sipër, fushata e radhës kundër informalitetit në rastin më të mirë nuk do të jetë e suksesshme dhe në rastin më të arsyeshëm mund të prodhojë pasoja të dëmshme për konkurrencën, godet psikologjikisht biznesin e ndershëm dhe rrit mundësinë për korrupsion dhe subjektivizëm të institucioneve përkatëse ligjzbatuese.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.