Aksioni i fundjavës në rrugët e kryeqytetit – Policia pezullon 32 leje drejtimi
Policia Rrugore e Tiranës ka shtuar kontrollet në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore gjatë fundjavës.
Në 12 orët e fundit janë konstatuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 6 persona të cilët janë vënë re duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në nivele që variojnë nga 0.53 mg/l – 1.08 mg/l. Sipas policisë së shtetit, nga kontrollet ka rezultuar gjithashtu se janë pezulluar 32 patenta nga të cilat 21 kanë qenë për shkak të drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit.
Nga ana tjetër, 11 mjete janë pezulluar për shpejtësi mbi normat e lejuara që varionin nga 157km/h deri në 215 km/h. Gjithashtu janë vendosur edhe 136 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor. Policia Rrugore vë në dijeni se vazhdon të mbetet e angazhuar me të gjitha burimet e saj njerëzore dhe logjistike për të garantuar siguri për të gjithë përdoruesit e rrugës.
e.t /SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.