Aksioni ndaj informalitetit më 1 Tetor, Tabaku kërkon rishikim të politikave fiskale
Pas deklaratës së ministrit të Financave Arbën Ahmetaj se më datën 1 Tetor fillon aksioni ndaj informalitetit, ka reaguar deputetja demokrate dhe nënkryetarja e komisionit të ekonomisë, Jorida Tabaku. Sipas Tabakut “lufta ndaj informalitetit nuk është aksion, por një përpjekje dhe politikë qeveritare përmes levave të ndryshme fiskale”, ku do ishte e udhës të rishikohej politika fiskale.
“E dini çfarë ndodhi herën e fundit që qeveria nisi aksionin anti-informalitet? Mungesa më e madhe në të ardhurat e shtetit me një vlerë prej 80 milionë usd në vetëm një muaj! Ka një mësim qe duhet ta kishin kuptuar gjoja reformatorët. Lufta ndaj informalitetit nuk është aksion, por një përpjekje dhe politikë qeveritare përmes levave të ndryshme fiskale. Në vend te propagandës që të mbushë portale e lajme do qe më e udhës të rishikohej politika fiskale. Për këtë të fundit duhet vizion dhe ndjeshmëri politike. Qartazi sa më sipër mungojnë. Mungesa e tyre përkthehet në abuzime dhe korrupsion, për të cilat qeveria është kampion, përndryshe si do shpjegohej gropa 325 milionë që KLSH zbuloi se mungonin në buxhetin e shtetit!”, shkruan Tabaku në rrjetet sociale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.