Aksioni për mbjelljen e pemëve – Veliaj: Janë mbjellë mbi 77 mijë fidanë, në 21 mars numri shkon në 100 mijë
Mbjellja e pemëve të reja në kryeqytet ka shkuar në mbi 77 mijë. Bashkia e Tiranës vijoi aksionin me mbjelljen e 500 pemëve të reja te mbikalimi i Saukut, një njësinë e Farkës. Veliaj shtoi se për çdo datë të shënuar, do të ketë aksione të mëdha mbarëqytetare, që do të kulmojnë me aksionin e 21 marsit, që përkon me Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve.
“Jemi në një fazë ku sapo kemi kaluar 77 mijë pemë në Tiranë, jemi shumë pranë qëllimit tonë final, 100 mijë pemë në të gjithë territorin e Tiranës për këtë stinë mbjelljesh. Sigurisht, e filluam mbarë vitin me mbjelljet, vijuam në “Ditën e Skënderbeut” me 550 ullinj. Ndërkohë, do të vazhdojmë me të gjithë datat e shënuara, me 14 shkurtin, Ditën e të Dashuruarve, për 7-8 Marsin, ditën e Mësuesve dhe të Nënës. Pastaj, në 21 mars do të kemi një finale të madhe, për të kapur targetin tonë të 100 mijë pemëve”, theksoi Veliaj
Në këtë nismë, kryebashkiaku kërkoi kontributin e të gjithë qytetarëve të Tiranës, duke theksuar se ajo që bëjmë sot, është paja më e mirë për qytetin nesër.
“Unë besoj që në një qytet, të gjithë japin atë që munden. Dikush jep pemë, dikush pak kohë, dikush një ide. Një qytet bëhet i mirë, kur secili jep kontributin e vet. Ndaj, jam pafundësisht mirënjohës për të gjithë donatorët. Do të doja që t’i bëja thirrje të gjithë qytetarëve, secili prej nesh mund të gjejë gjysmë ore për të mbjellë një fidan, për t’i lënë një pajë qytetit, që edhe kur të mos jemi ne, por të jetë një gjeneratë tjetër, të kemi mundësi ta kthejmë kokën mbrapa dhe të themi: Lamë një shenjë në qytetin tonë. Besoj që, siç e kemi nisur, ditët më të mira për Tiranën janë përpara”, deklaroi Veliaj.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.