Akti i rrallë amerikan / SHBA akuzon për trafik droge kreun e shtetit venezuelas dhe ngre padi penale kundër tij
Qeveria e SHBA pritet të ngrejë padi penale kundër Presidentit të Venezuelës Nicolas Maduro dhe të paktën një duzinë zyrtarësh të tjerë të Venezuelës të enjten, duke i akuzuar ata për përfshirje në trafikun e drogës, tha një person i njohur me çështjen.
Departamenti i Drejtësisë pritet të zbulojë akuzat kundër Maduro, një lider socialist i cili tashmë përballet me sanksione amerikane dhe ka qenë shënjestra e një fushate presioni amerikan që synon ta heqë atë nga pushteti, tha burimi për Reuters.
Aktakuza, një veprim i rrallë amerikan kundër një kreu të shtetit të huaj, shënon një përshkallëzim serioz kundër Maduros nga Uashingtoni në një kohë kur disa zyrtarë të SHBA kanë thënë privatisht se Presidenti Donald Trump është shumë i irrituar me rezultatet e politikës së tij në Venezuelë.
Shtetet e Bashkuara dhe dhjetëra vende të tjera kanë njohur liderin e opozitës Juan Guaido si presidentin legjitim të vendit, por Maduro ka mbetur në pushtet, i mbështetur nga ushtria e vendit dhe nga Rusia, Kina dhe Kuba,
Zyrtarët e SHBA-së kanë akuzuar prej kohësh Maduron dhe bashkëpunëtorët e tij se ata janë duke drejtuar një “shtet narko”, duke thënë se ata kanë përdorur të ardhurat e trafikut të drogës për të kompensuar të ardhurat e humbura nga sektori i naftës së Venezuelës i sanksionuar rëndë nga Shtetet e Bashkuara.
Aktakuza që do të zbulohet të enjten pritet të akuzojë Maduro dhe zyrtarë të tjerë të lartë për komplot me grupin e majtë kolumbian guerile FARC për të dërguar sasi masive të kokainës në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, tha personi i njohur me këtë çështje.
D.B – SCAN
Burimi: New York Times
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.