Akti solidar/ Shqipëria i dërgon Italisë mjekë dhe infermierë për të ndihmuar në përballjen me pandeminë
Shqipëria ka vendosur të kryejë një akt solidariteti të rëndësishëm në këtë periudhë të vështirë për Italinë duke e asistuar atë me personel shëndetësor, mjekë dhe infermierë. Vendimi i publikuar në Fletoren Zyrtare parashikon dhënien e ndihmës me personel në kushtet e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.
Vendimi përcakton se shpërblimi i mjekëve dhe infermierëve, që do të ofrojnë shërbim shëndetësor në Itali do të jetë në vlerën 3 000 (tre mijë) euro në muaj për mjekët dhe 2500 (dy mijë e pesëqind) euro në muaj për infermierët.
Fondi prej 11 000 000 (njëmbëdhjetë milionë) lekësh për shpërblimin e personelit shëndetësor, mjekë dhe infermierë, do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2020.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të bëjë përzgjedhjen e mjekëve dhe infermierëve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të marrin të gjitha masat për të siguruar transportin e personelit shëndetësor, mjekë dhe infermierë, drejt Italisë.
Ky vendim vjen në një kohë kur Italia po përballet me një tragjedi të madhe nga humbja e jetës së njerëzve nga COVID-19 e kur ka mangësi të shumta në staf mjekësor.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.