Aktivet me rrezik – Në rënie për gjysmën e parë të vitit
Sistemi bankar ka marrë përsipër më pak risk në gjysmën e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të korrektuara me koeficientët përkatës të rrezikut, në fund të qershorit zbriti në 842 miliardë lekë, në rënie me 5.6% që nga fillimi i vitit.
Totali i aktiveve të korrektuara me koeficientët e rrezikut është një tregues i llojit të investimeve që ndërmerr sistemi bankar. Për shembull, investimi në bono qeveritare ka koeficientë rreziku 0 dhe nuk shton asgjë në totalin e aktiveve të korrektuara për efekt të llogaritjes së mjaftueshmërisë së kapitalit.
Përkundrazi, kredia ka një impakt më të lartë në totalin e aktiveve, sepse ka koeficientë ponderimi më të lartë. Kredia në lekë ponderohet me koeficient 1, çka do të thotë se i shtohet në vlerë të plotë nominale totalit të aktiveve.
Ndërsa kredia në valutë, për kredimarrës me të ardhura në lekë, ponderohet me koeficent 1.5, çka do të thotë se ndikon akoma më shumë në rritjen e totalit të korrektuar të aktiveve.
Një tjetër formë investimi që ponderohet me koeficientë të lartë rreziku janë investimet jashtë vendit. Rënia e investimeve që teknikisht, bartin më pak rrezik, është një sinjal i qartë kujdesi, i lidhur në një masë të madhe edhe me vitin elektoral.
Në gjysmën e parë të vitit, agjentët ekonomikë dhe sidomos bizneset kanë ruajtur pozita pritëse, çka është reflektuar në një ecuri të zbehtë të kreditimit, që përbën edhe formën kryesore të aktiveve me risk të sistemit bankar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.