Aktivitetet kulturore – Veliaj: Shtimi i tyre po aq i rëndësishëm sa infrastruktura
Shtimi i aktiviteteve kulturore në kryeqytet ka qenë thelbi i marrëveshjes së nënshkruar këtë të diel mes Bashkisë së Tiranës dhe ministrisë së Kulturës.
Sipas kryebashkiakut Erion Veliaj, vëmendja ndaj aktiviteteve kulturore është po aq e rëndësishme sa ajo ndaj infrastrukturës, apo ajo ndaj sektorëve të tjerë.
“Po bashkëpunojmë për t’u siguruar që Tirana, përveç infrastrukturës për rrugët, shkollat, kopshtet, çerdhet, pemët, trotuaret, të jetojë edhe me art publik, me hapësira që çlirojnë energji të mirë për qytetin. Ka ardhur koha që të kemi një politikë të mirëfilltë, që të mos varet nga një kryetar bashkie apo një ministër kulture, që Tirana të ketë një manual të mënyrës se si funksionon arti publik dhe se si qyteti ushqen nevojën për art publik”, tha Veliaj.
Për Ministren Kumbaro, kjo marrëveshje do i jap më shumë mundësi artistëve të pavaruar.
“Qëllimi i projektit është të vendosë bashkëpunimin institucional, siç kemi në rast ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Tiranës, e gjithashtu, të sjellë në vëmendje dhe rritur ndërgjegjësimin për artet publike në qytet, si dhe për të angazhuar komunitetet për të krijuar një qytet akoma më të bukur dhe të këndshëm me pjesëmarrje të gjithë qytetarëve. Në fakt, me Bashkinë e Tiranës kemi dy vjet që po japim modelin më të mirë se si dy donatorët më të rëndësishëm, por edhe politikëbërësit kulturorë, pra Ministria e Kulturës dhe Bashkia e kryeqytetit, janë duke i dhënë një stimul shumë të madh skenës së pavarur”, u shpreh Kumbaro.
Disa nga projektet më të mëdha kulturore dhe artistike të këtyre dy institucioneve do të jenë ato në muajin e ardhshëm , kur në kryeqytet do të vijnë për publikun emra të njohur të muzikës ndërkombëtare.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.