Aktiviteti i bizneseve në Eurozonë – Humbet pak vrull gjatë Shkurtit, perspektiva qëndron optimiste
Aktiviteti i bizneseve në Eurozonë ka qëndruar i fortë gjatë muajit Shkurt, ndërkohë që sondazhet tregojnë për optimizmin më të madh te firmat në 5 vite e gjysmë, pavarësisht pengesave si rritja e çmimeve dhe valuta e fortë.
Ekonomia e rajonit tregoi performancën më të mirë në një dekadë gjatë 2017-ës. Megjithatë, indeksi PMI për muajin Shkurt, që formulohet nëpërmjet anketimit të bizneseve, ka treguar një humbje të vogël të vrullit.
Ky indeks, që shihet si një udhëzues i mirë i rritjes ekonomike, shënoi 57.5 pikë në Shkurt, nga niveli rekord i Janarit prej 58.8. Sipas indeksit, ekonomia pritet të tregojë një performancë të fortë në tremujorin e parë, në 0.9%.
Megjithatë, përmirësimi i ndjesisë së bizneseve tregon se firmat presin që ky ngadalësim i aktivitetit të jetë i përkohshëm.
Ndër vendet e Eurozonës, të dhënat mbi manifakturën dhe shërbimet treguan rënie në Gjermani dhe Francë, që janë dy ekonomitë më të mëdha të rajonit. Valuta e përbashkët ra me 0.2% në 1.2315 gjatë publikimit të të dhënave.
Politikëbërësit e Bankës Qendrore Europiane po tregojnë gjithnjë e më shumë besim se fuqizimi i ekonomisë do të sjellë rritjen e çmimeve, duke krijuar mundësinë e heqjes së stimujve monetarë.
Ndërkohë që rritja e porosive u ngadalësua gjatë muajit Shkurt, kompanitë kanë rritur stafin me normën më të shpejtë në 17 vite.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.