Aktiviteti i biznesit/ Frenohet shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese
Tremujori i fundit i vitit të kaluar solli përkeqësim të besimit të biznesit dhe njëkohësisht frenoi edhe rritjen e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese. Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, ky tregues shfaqi një tendencë negative në tremujorin e fundit, sidomos në degët e tregtisë dhe të shërbimeve.
Në sektorin e tregtisë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve pësoi rënie krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues rezulton 4 pikë përqindje nën nivelin e shënuar një vit më parë dhe 4.3 pikë përqindje poshtë mesatares historike.
Edhe bizneset e shërbimeve raportuan një rënie të lehtë të shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese, rënie që vijon për të tretin tremujor radhazi. Megjithatë, bizneset e shërbimeve kanë një shfrytëzim të kapaciteteve që qëndron ende sipër mesatares afatgjatë.
Në sektorin e industrisë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve edhe për tremujoin e katërt u shfaq në stanjacion. Ajo qëndroi pothuajse në të njëjtin nivel si krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, ashtu edhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm
I vetmi sektor që raporti një shfrytëzim në rritje të kapaciteteve prodhuese ishte ndërtimi. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve u rrit me 1.2 pikë përqindje në terma vjetorë dhe me 2.2 pikë përqindje krahasuar nme tremujorin e mëparshëm.
Për sektorin e ndërtimit, një shfrytëzim më i lartë i kapaciteteve në tremujorin e fundit mund të lidhet edhe me faktorë sezonalë, sidomos për atë segment që lidhet me zbatimin e projekteve të investimeve publike.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.