Aktiviteti i paligjshëm i lojërave të fatit – Policia procedon penalisht tre shtetas
Policia e Shtetit ka vijuar kontrollet në të gjithë qarkun, duke zbuluar ambiente më të cilat vazhdon të ushtrohet aktiviteti i paligjshëm i lojërave të fatit.
Sipas njoftimit, Policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë tre shtetas, dy në Korçë dhe 1 në Maliq, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Policia tha se Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatet e Policisë Korçë dhe Maliq, filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve: A.B, 34 vjeç, banues në Korçë, E.D, 40 vjeç, banues në Korçë dhe F.H, 24 vjeç, banues në fshatin Bregas, Maliq.
Sipas njoftimit, gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në lagjet Nr.5 dhe 10 të qytetit të Korçës, si edhe në fshatin Bregas, Maliq dhe më konkretisht në lokalin në pronësi të shtetasit A.B, në lokalin në të cilin ishte i punësuar shtetasi E.D si dhe në lokalin në përdorim nga shtetasi F.H, u gjetën dhe sekuestruan disa materiale si provë për veprimtarinë e paligjshme.
Respektivisht në materialet e sekuestruara ishin një kompjuter laptop, një telefon celular i markës “Iphone” dhe një njësi kompjuteri, të cilat dyshohet se përdoreshin nga këta shtetas për vendosjen e basteve sportive.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.