AKU, 1285 kontrolle në bregdet – Penalitete 384 subjekteve për mosrespektim të kushteve
Mosrespektimi i kushteve higjieno-sanitare, i cilësisë së produkteve, i dokumenteve e i librezave shëndetësore të personelit, kanë sjellë penalizimin e 384 subjekteve tregtare që operojnë kryesisht në Durrës e në Vlorë.
Përmes një deklarate për shtyp, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se ka kryer për periudhën qershor-gusht, 1285 inspektime në subjekte tregtare: bare, restorante, fast-foode, pastiçeri, supermarkete, minimarkete, njësi prodhimi dhe tregtimi akulloreje.
Masat me gjobë dhe paralajmërime janë vendosur për subjektet, në të cilat janë vërejtur mangësi të kushteve higjieno-sanitare, mungesë dokumentacioni shoqërues, mungesë të librezave shëndetësore të personelit dhe analizës së ujit, mungesë e planit mbi masat e luftës kundër dëmtuesve, brejtësve dhe insekteve.
Në deklaratën për shtyp, Autoriteti bën me dije se kontrollet do të vijojnë deri në përfundimin e sezonit turistik, në të gjitha restorantet, baret, fast-food, markete etj, për të garantuar sigurinë ushqimore.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.