AKU bllokon 193 kg produkte të skaduara – Gjobitet me 800 mijë lekë subjekti
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, gjatë kontrollit të një marketi në zonën e Kamzës, bllokoi për asgjësim 193 kilogram produkte të skaduara që në Dhjetor të 2018, të cilat mbaheshin nga subjekti në vitrinë për shitje.
“Në vijim të një komunikimi në faqen zyrtare Facebook të AKU-së nga një konsumator i përgjegjshëm që njoftonte tregtimin e produkteve me afat të kaluar përdorimi nga operatori “Market Geni”, me adresë në Laknas, Kamëz, AKU kreu kontroll për zbatimin e legjislacionit në fuqi.
Gjatë kontrollit, operatori nuk paraqiti dokumentacionin shoqërues (faturat e blerjes së produkteve), planin e vetëkontrollit dhe në përfundim rezultoi se shiteshin jashtë afatit të përdorimit produktet e mëposhtme:
– 73 litra vaj ulliri me afat përdorimi dhjetor 2017 dhe tetor 2018 (13 pako me paketim 5lt dhe 8 shishe 1lt),
– 45 kanoçe birre në total me afat përdorimi 11/5/2018 për 23 kanoçe dhe datë të fshirë përdorimi për pjesën tjetër,
– produktet e tjera ishin: karamele, çokollatë, kafe, qumësht, ujë, lëngje frutash, margarinë etj, Madje dhe havjar…
Në total, u bllokuan për asgjësim 193.2 kg produkte ushqimore që mbaheshin nga subjekti në vitrinë për shitje, megjithëse u kishte kaluar afati i përdorimit, një pjesë e mire e tyre që në dhjetor 2018” shkruhet në njoftimin e AKU-së të shpërndarë për mediat.
Për shkeljet e konstatuara, bazuar në parashikimet e Ligjit për “Ushqimin” dhe atij për “Inspektimin në RSH”, AKU vendosi masën administrative të “gjobës” me vlerë totale prej 800 mijë lekësh.
Njoftimi i plotë i AKU: https://aku.gov.al/?p=3937
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.