AKU bllokon 70 ton ushqime të pasigurta! Në listë, oriz i mykur, domate të kalbura e çokollata të skaduara
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton shtimin e kontrolleve në pikat doganore me qëllim sigurinë ushqimore të produkteve që importohen nga shtetet e tjerë drejt vendit tonë. Referuar të dhënave të publikuara nga ky institucion, për periudhën 1-25 tetor në rang vendi janë kryer 4011 kontrolle në të gjitha pikat doganore të Shqipërisë. “Gjatë kësaj periudhe janë konstatuar dhe bllokuar 70 ton produkte ushqimore të pasigurta për tregun shqiptar. Trupa inspektuese e AKU-së ka kryer procedurat për kthim në origjinë të këtyre produkteve” njofton AKU.
Në pikën doganore, Durrës janë bllokuar 45 ton oriz me vend origjinë, Spanjën. Sipas AKU, ngarkesa në fjalë nuk shoqërohej me certifikatë fitosanitare gjë që bie në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Ndërkohë, në pikën doganore, Qafë Thanë është bllokuar një sasi prej 18 ton domate me vend origjinë nga Lituania pasi u konstatua prezencë myku dhe të kalbura- pra të papërshtatshme për konsum.
Ndërsa në pikën doganore, Hani i Hotit janë bllokuar: 2.2 ton birrë, origjina nga Çekia dhe 4.8 ton produkte ushqimore si, kripë, salcë djathi, patatina, kokoshka dhe çokollatë me vend origjinë, Hungarinë. Këto dy ngarkesa ishin afër afatit të skadencës- pra nuk lejohen të futen për konsumin vendas.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.