AKU bllokon 979 litra pije alkoolike – Gjobitet me 150 mijë lekë subjekti
Nga kontrolli i ushtruar nga Drejtoria Rajonale e AKU Dibër në subjektin “S.N” me aktivitet bar-restorant në Mat, u konstatuan 574 shishe vere 700 ml dhe 577 litra raki të cilat kishin mangësi në etiketim. Subjekti nuk dispononte gjithashtu sistemin e gjurmueshmërisë për produktet që tregtonte.
Nisur nga gjetjet e kontrollit të kryer, inspektorët e AKU-së morën mostra për produktet e rakisë dhe verës me qëllim kryerje e analizave laboratorike në lidhje me përshtatshmërinë e tyre për konsum human dhe për shkeljet e konstatuara AKU mori masat e mëposhtme:
- Gjobë me vlerë 100,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,
- Gjobë me vlerë 50,000 lekë për mangësi në etiketimin e produktit,
- Bllokim i produktit në sasinë prej 577 litra raki dhe 574 shishe vere 700 ml, deri në daljen e përgjigjeve të analizave zyrtare,
- Bllokim i magazinës ku ishin vendosur këto produkte.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po vazhdon punën për goditjen e paligjshmërisë dhe parandalimin e çdo praktike që do të shkojë në dëm të shëndetit të konsumatorëve.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.